Gjykata Themelore e Prishtinës, fituese e çmimit ‘Gjykata më Transparente’

Gjykata Themelore e Prishtinës, fituese e çmimit ‘Gjykata më Transparente’

Prishtinë, 30.09.2020 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, mori pjesë në organizimin për ndarjen e çmimit “Gjykata më Transparente” të organizuar nga BIRN dhe FOL me mbështetjen e Programit të USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), ku u prezantuan të gjeturat lidhur me monitorimin e publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës dhe si rezultat, Gjykata Themelore në Prishtinë u shpërblye me çmimin “Gjykata më Transparente”.

Kryesuesi Çoçaj, e përgëzoi Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për angazhimin e saj që kjo Gjykatë të jetë më transparentja në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme rritja e transparencës për të gjithë sistemin gjyqësor dhe me angazhimin e të gjithëve, niveli i transparencës do të jetë në nivelin më të lartë. Publikimi i aktgjykimeve është shumë i rëndësishëm, sepse ka ndodhur që gjykatat të punojnë shumë, mirëpo nuk kemi arritur që ta transmetojmë te qytetarët aq sa po punohet. Shfrytëzoj rastin të falënderoj USAID, në veçanti Programin për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë – JSSP si dhe shoqërinë civile për kontributin tuaj të vazhdueshëm për rritjen e transparencës së sistemit gjyqësor”, tha Çoçaj.

Drejtoresha e Zyrës së USAID për Demokraci dhe Qeverisje, Christine Davis, uroi Gjykatën Themelore të Prishtinës për këtë arritje të madhe dhe tha, se USAID do të vazhdojë të përkrahë të gjitha gjykatat në Kosovë përderisa vazhdojnë të implementojnë reforma të cilat përmirësojnë transparencën, llogaridhënien dhe shërbimet për qytetarët e Kosovës.

Kryetarja e kësaj Gjykate, Afërdita Bytyçi, pas pranimit të çmimit tha se ky çmim do të shërbejë edhe më tutje që të shtohen aktivitetet e Gjykatës në drejtim të rritjes së transparencës përmes informimit sa më të madh të publikut.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka arritur që në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020, të publikojë mbi 2,200 aktgjykime në ueb portalin e gjyqësorit të Kosovës. Me këtë rast, falënderoj të gjithë stafin në angazhimin e tyre për publikimin e aktgjykimeve”, tha Bytyçi.