Mbahet takimi i 234-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 234-të i KGjK-së

Prishtinë, 23.06.2020 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), përmes aplikacionit ZOOM, ka mbajtur takimin e 234-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes aktuale me situatën Covid-19 në sistemin gjyqësor dhe menaxhimit të punës në gjyqësor, duke respektuar masat mbrojtëse. Kryesuesi Çoçaj u bëri thirrje të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me vendimin e Këshillit, Planin emergjent për menaxhimin e krizës, vendimin e Qeverisë dhe Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit Covid-19.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan shpalljen e konkursit të brendshëm për Departamentet Speciale, tre (3) pozita në kuadër të Gjykatës së Apelit dhe gjashtë (6) pozita në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë.

Po ashtu, u aprovua edhe draft rregullorja për organizimin dhe veprimtarinë e brendshme të gjykatave të Republikës së Kosovës me të cilën përcaktohet organizimi, funksionimi dhe mënyra e ushtrimit të veprimtarisë së brendshme në gjykata si dhe draft plani i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2020.

Anëtarët e KGjK-së,  aprovuan kërkesën e gjyqtarit Nehat Idrizi, për lejimin e angazhimit si ligjërues, si dhe kërkesën e gjyqtarit Artan Sejrani për pjesëmarrjen në bordin këshillëdhënës në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Këshilli aprovoi listën e gjyqtarëve të propozuar nga Kryetarët e Gjykatave për të qenë pjesë e listës së Paneleve Hetimore me mandat një (1) vjeçar.

Gjatë këtij takimi, Këshilli aprovoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e dy (2) gjyqtarëve, një (1) në Gjykatën Themelore në Prizren dhe një (1) në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Suharekë.

Në fund të takimit, KGjK formoi dy (2) paneleve hetimore për dy (2) raste disiplinore, si pikë e mbyllur e rendit të ditës.