U mbajt takimi i parë i Grupit të Mentorimit

U mbajt takimi i parë i Grupit të Mentorimit

Prishtinë, 27.02.2020 – Është mbajtur takimi i parë i grupit punues për programin e Mentorimit, program që vepron në kuadër të Projektit të financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë”.

Programi i Mentorimit i cili një pjesë do të zhvillohet në Kosovë dhe pjesa tjetër në Mbretërinë e Bashkuar, ka për qëllim të rrisë aftësitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përzgjedhur për këtë program, në trajtimin e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. 

Gjatë këtij takimi, u diskutuan aktivitetet e planifikuara mujore deri në nëntor të këtij viti si dhe përfshirja e mundshme e Akademisë së Drejtësisë, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në këto aktivitete.

Përfitues të këtij programi, të përzgjedhur përmes një procesi transparent dhe të bazuar në kompetenca, me aprovim të dy Këshillave, janë përzgjedhur: Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Violeta Husaj Rogova (gjyqtarë), Atdhe Dema, Armend Hamiti dhe Burim Çerkini (prokurorë).

Vlen të ceket se pas përfundimit të programit, të mentoruarit do të shpërndajnë njohuritë e fituara me kolegët e tyre, duke përfituar kështu i tërë sistemi i gjerë i drejtësisë penale në Kosovë.