Publikohet Doracaku për Procedurën e Ndërmjetësimit

Publikohet Doracaku për Procedurën e Ndërmjetësimit

Prishtinë, 30.01.2020 – Projekti i UNDP-së, “Përmirësimi i Qasjes në Drejtësi i Reformës së Sundimit të Ligjit në Kosovë” në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) promovoi sot Doracakun për Ndërmjetësim si procedurë alternative, me qëllim të funksionalizmit sa më të mirë të procedurës së ndërmjetësimit në Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, tha se është fakt i pakontestueshëm se ndërmjetësimi si mjet alternativ për zgjidhjen e kontesteve mundëson zgjidhjen më të shpejtë të lëndëve, rezultate më të shpejta, kontroll më të madhe nga palët, shprehje më të theksuar të vullnetit, kosto më të ulët, bashkëpunim të ndërsjellë të palëve duke ruajtur marrëdhëniet mes tyre dhe fleksibilitet më të madh në krahasim me zgjidhjen e rasteve përmes procedurave gjyqësore të rregullta.

“Procedurat e ndërmjetësimit, do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në ngritjen e efikasitetit, përmirësimin e performancës dhe të imazhit të sistemit gjyqësor, rritjen e besueshmërisë së publikut si dhe ofrimin e zgjidhjeve alternative më të lehta, më të shpejta për qytetarët, duke përmirësuar dukshëm sistemin gjyqësor në tersi”- tha Çoçaj.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se rritja e numrit të rasteve të referuara në procedurë të ndërmjetësimit nga ana e prokurorëve të shtetit, jo vetëm që do të ndikoj në zvogëlimin e rasteve në prokurori por edhe do të ketë efekt shumë pozitiv në uljen e numrit te personave në listën e personave të ndjekur dhe dënuar penalisht.

Nga ana tjetër, Zv/koordinatorja e Programit të UNDP, Marta Gazideda, tha se një nga arritjet kryesore gjatë kësaj periudhe është edhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve profesionale për funksionimin e plotë të sistemit të ndërmjetësimit dhe se UNDP, mbetet e angazhuar për avancimin e qasjes në drejtësi dhe ndihmën e zbatimit të reformave, që kontribuon në rrugën e integrimit të Kosovës në BE.

Prokurori Besim Kelmendi, si autor i Doracakut gjatë prezantimit, theksoi se në mbështetje të UNDP-së, kemi përgatitur këtë Doracak me qëllim që t’ua mundësojnë të gjithë zbatuesve të procedurës së ndërmjetësimit një qasje më të lehtë në dispozitat ligjore dhe akteve nënligjore të ligjit të ri.

Ky aktivitet u mbështet nga Projekti i Sundimit të Ligjit të UNDP-së, si dhe u përkrah nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.