Mbahet takimi i 228-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 228-të i KGJK-së

Prishtinë, 27 dhjetor 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 228-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi Rregulloren për procedurën dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së nga gjyqësori, si dhe anex udhëzuesin për organizimin e procesit gjyqësor. Sipas rregullores, u vendos që të shpallen dy pozita të lira për anëtarë të KGjK-së nga Gjykata e Apelit dhe Gjykatat Themelore, për të cilat edhe u krijuan komisionet përkatëse për procedurat e zgjedhjes.

Me qëllim të rritjes së transparencës së gjyqësorit dhe unifikimit të praktikës gjyqësore, u miratua Udhëzimi Administrativ për publikimin e aktgjykimeve të përpunuara dhe Manuali për Publikimin dhe Përpunimin e Aktgjykimeve. Këshilli mori vendim për përzgjedhjen me short të gjyqtarëve që do t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës, përmes programit Excel, sipas komandës “RANDOM” dhe për përzgjdhjen e rastësishme të vendimeve gjyqësore.

Këshilli mori vendim që fillimisht të shpallen tre pozita për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit ndërsa me pensionimin e gjyqtarëve në vitin e ardhshëm, do të shpallen edhe pozita të tjera. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit miratuan pjesëmarrjen e Krytarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në cilësi të trajnuesit në Akademinë e Drejtësisë, si trajnues i licencuar dhe angazhimin e tij në organizatën gjermane GIZ, si bashkautor i hartimit të Udhëzuesit të Ligjit për Konfliktin Administrativ.

Në fund të takimit, si pika të mbyllura të rendit të ditës, u shqyrtuan, ankesa disiplinore e ushtruar ndaj vendimit  me numër GJS-2019-010, marrëveshja vullnetare për pranimin e fajësisë në mes të Panelit Hetimor dhe subjektit të hetimit disiplinor, Nr.AD.KGJK/08/2019/GJS-2019-008,  si dhe seanca dëgjimore për shqyrtimin e raportit të Panelit Hetimor mbi faktet dhe provat e mbledhura gjatë procedurës hetimore me marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/05/2019/GJA-ADGJA.nr.09/2019.