Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, pjesë e tryezës “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe problemet në realizimin e tyre”

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, pjesë e tryezës “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe problemet në realizimin e tyre”

Prishtinë, 18 dhjetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Kolegji AAB, Fakulteti Juridik, me temën: “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe problemet në realizimin e tyre”, tryezë e cila është organizuar në kuadër të ditës ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Kryesuesi Çoçaj, në fjalën e mbajtur para të pranishmëve tha se, duke pasur parasysh se Kosova nuk është është anëtare e OKB-së dhe mekanizmave tjerë, ajo nuk ka mundësi të ratifikojë konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Mirëpo, Republika e Kosovës ka ngërthyer në kushtetutën e saj, marrëveshjet ndërkombëtare dhe instrumentet të cilat garantojnë parimet dhe vlerat e të drejtave të njeriut dhe liritë fondamentale.

“Neni 22 i kushtetutës siguron aplikueshmëri të drejtëpërdrejtë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në rast të konfliktit, garanton prioritetet e tyre në krahasim me ligjet dhe aktet tjera të institucioneve publike. Neni 52 i kushtetutës obligon autoritetet e Kosovës interpretimin e dispozitave që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe me liritë në konseguencë me jurisprudencën gjykatës evropiane të të drejtave të njeriut. Kjo krijon një kornizë të kënaqshme ligjore që instrumentet e të drejtave të njeriut të jenë të aplikueshme dhe ligjet të zbatohen. Pra, kemi një bazë solide për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave fondamentale, dhe kjo nënkupton se zotimi dhe ligjet obligojnë institucionet e Kosovës që premtimet, tashmë të ngarthyera në kushtetutën e Kosovës, të zbatohen”, ka thënë Kryesuesi Çoçaj.

Në fund, Kryesuesi Çoçaj tha se mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë një nga prioritetet kyçe për të gjitha institucionet.