Mbahet takimi i 227-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 227-të i KGJK-së

Prishtinë, 12 dhjetor 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 227-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli, shqyrtoi kërkesën e Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, për shpalljen e tre (3) pozitave për gjyqtarë në Gjykatën Supreme, ku njëra nga ato do të jetë për komunitetin serb. Anëtarët e Këshillit miratuan plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për unifikimin e taksave gjyqësore dhe miratuan Udhëzimin Administrativ për Rregullat Unike dhe të Përbashkëta për Rendin Shtëpiak në Gjykata.

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit të gjykatave në kryerjen e lëndëve, Këshilli miratoi propozimin e aplikimit të metodës së shqyrtimit të hershëm të lëndëve dhe shqyrtimit të zgjeruar të lëndëve të vjetra në gjykatat e Kosovës. U shqyrtua njoftimi i Departamentit të Administratës së Përgjithshme të SKGJK-së, për pensionimin e dy (2) gjyqtarëve gjatë muajit dhjetor 2019 dhe dy (2) gjyqtarëve gjatë muajit janar 2020, mandati i së cilëve përfundon sipas fuqisë ligjore. Me vendim nga Këshilli, do të njoftohet Presidenti i Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, u miratua Udhëzuesi për Procedurat Standarde të Veprimit për zhvillimin dhe menaxhimin e përmbajtjes së uebfaqes së gjyqësorit të Kosovës, i cili ndihmon në mirëmbajtjen dhe parashtron kriteret, rolet si dhe afatet e rregullta për mirëmbajtjen e përmbajtjes.

Këshilli caktoi anëtarët e Asamblesë së Kryetarëve dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës për vitin 2020, gjyqtarët mbikëqyrës të degëve: Lipjan, Viti, Dragash, Zubin Potok, Rahoves, Istog dhe Shtërpcë. U diskutua edhe çështja e shtyerjes së seancave gjyqësore, rreth së cilës Këshilli në bashkëpunim me projektin SMIL, do të gjenerojnë raporte lidhur me përcjelljen e shtyerjeve të seancave për secilën gjykatë dhe secilin gjyqtarë.

Këshilli vendosi të shpallë thirrjen për aplikim për profesionistët apo ekspertët gjuhësor, për anëtarë të Komisionit për çertifikimin e interpretëve dhe përkthyesve gjyqësorë për çiftin e gjuhëve shqip – serbisht dhe anasjelltas dhe serbisht – anglisht dhe anasjelltas.

Anëtarët e Këshillit aprovuan dorëheqjen e Nehat Idrizit nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për arsye personale dhe në mbështetje të Ligjit për Këshillin.  Në fund të takimit, si pika të mbyllura të rendit të ditës, u shqyrtuan, Raporti i Panelit Hetimor mbi Faktet dhe Provat dhe marrëveshja e arritur për pranimin e fajësisë për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/05/2019/GJA-ADGJA.nr.09/2019 si dhe formimi i shtatë Paneleve Hetimore.