Çoçaj: Transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti janë parimet themelore të punës sonë

Çoçaj: Transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti janë parimet themelore të punës sonë

Prishtinë, 7 dhjetor 2019 – Ka mbyllur punimet Konferenca e Gjyqësorit e cila mblodhi gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe njerëz të tjerë nga i gjithë sistemi i drejtësisë në Kosovë. Në këtë mes, u kërkua që të rritet transparenca dhe llogaridhënia drejt ndërtimit të strategjive të reja të punës dhe zhvillimit të reformave për sfidat gjatë punës së gjyqësorit.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, tha se nevojiten përpjekje më të mëdha nga të gjithë për të përmirësuar cilësinë e funksionimit të gjykatave, duke përforcuar besimin e publikut, duke qenë të vetëdijshëm se gjyqësori është shtyllë e demokracisë për vendin tonë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt arritjes së synimeve tona për të pasur një gjyqësor më të mirë dhe i gjithë aktiviteti jonë do të përqendrohet për një sistem gjyqësor të pavarur, i qasshëm për të gjithë, i drejtë dhe efikas në punën e tij, që jep llogari në punën e vet, që është funksional dhe u përmbahet standardeve më të larta të ndershmërisë, integritetit, kompetencës, profesionalizmit dhe transparencës, në mënyrë që ti ofrojmë qytetarëve tanë drejtësi.”, tha mes tjerash Çoçaj.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se ka përparime në sistemin e drejtësisë, por korrupsioni vazhdon të mbetet sfidë. “Një ndër problemet kryesore me të cilin ballafaqohet sot sistemi i drejtësisë është lufta kundër korrupsionit – fenomen i shëmtuar dhe tepër i dëmshëm për shtetin e Kosovës. Në këtë drejtim rezultatet e deritashme nuk janë të kënaqshme dhe kërkohen rezultate konkrete.”, tha Peci.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar, që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj. “Ju jeni garanci e shtetit të ligjshëm, jeni garanci e barazisë para ligjit, pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, dhe besimi i qytetarëve në drejtësi, varet ekskluzivisht nga puna e juaj e pavarur”, tha Tahiri.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se sistemi gjyqësor ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme. “Nevoja për mbështetjen e sistemit të drejtësisë, duhet të bëhet fillimisht nga institucionet vendore, e pastaj nga ato ndërkombëtare, sepse të bashkuar dhe duke bashkëpunuar, arrijmë ta forcojmë sistemin e drejtësisë.” tha Hyseni.

Shefi për Sundimin e Ligjit nga Zyra e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuk, tha se Bashkimi Evropian po përpiqet të ndihmojë Kosovën, ku momentalisht po ndihmon sistemin e drejtësisë përmes implementimit të Projektit të Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (NCCR) i cili ka për qëllim digjitalizimin e të dhënave të vjetra penale.

Ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se sistemi i drejtësisë nuk mund të jetë funksional dhe llogaridhënës nëse nuk ka besim të qytetarëve. “Unë dua të i ‘u përgëzoj për punën tuaj e deritanishme sepse ka progres por duhet të punohet edhe mëshumë në fushën tuaj. Ju, gjyqtarë, mbani ndër pozitat më tërëndësishme në vend. Përkushtimi i juaj, integriteti i juaj, do tëvazhdojë të testohet dhe sfidohet çdo ditë. Ndikimi juaj shkon përtej gjyqësorit, sepse pa sundim të ligjit mund të ketë vetëm kaos, dhe në një ambient të tillë asnjë nga ne nuk duan te jetojnë. Ju inkurajoj të keni sinqeritet, është puna juaj ajo që e bën dallimin.”, tha Braathu.

Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, Maksim Qoku, falënderoi Kosovën për mikpritjen dhe ndihmën e ofruar përtej vlerave të pritura, duke vlerësuar lartë pjesëmarrjen në konferenca të tilla.

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Vesna Medenica, tha se rolin më të vështirë e kanë gjyqtarët, mirëpo ky profesion është edhe privilegj. “Me profesion gjyqësor nuk mund të themi që kemi talent gjyqësor, por duhet të punojmë shumë në mënyrë që drejtësia të jetënë duart tona. Gjyqtari duhet të respektohet më shumë se sa të duhet, ai duhet të jetë më shumë i trajnuar se sa të ketë njohuri.”, tha Medenica.

Ud.i Kryetarit të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, Faik Arslani, tha se kur shkon në një vend, nuk pyet a ka ligje të mira, por a zbatohen ato. “Insistojmë që reformat të jenë efikase ashtu që tëketë siguri juridike sepse ky aspekt është parakusht për respektimin e të drejtave të njeriut.”, tha Arslani.

Lidhur me temën qendrore, Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, theksoi se sistemi gjyqësor ka shënuar progres të konsiderueshëm kohëve të fundit, duke referuar objektivat dhe sfidat që kanë reflektuar punën e gjyqësorit gjatë këtij viti, duke përfshirë krijimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apelit, luftimin e krimeve të rënda, implementimin e projekteve CMIS dhe NCCR, përgatitjen e projekt-rregulloreve dhe udhëzimeve administrative, përditësimin e rregullt të ueb faqes së gjyqësorit, procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, bashkëpunimin me Akademinë e Drejtësisë rreth trajnime të obliguara dhe të vazhdueshme që kanë ndjekur gjyqtarët, rishikimin e buxhetit dhe administrimin e tij, krijimin e kushteve për përdorimin e aplikacionit elektronik E-pasuria, riparimin dhe mirëmbajtjen e objekte të gjykatave, përkthimin e materialeve në gjuhët zyrtare të Kosovës, përpilimin e Planit Vjetor të Auditimit, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar, si dhe memorandumet e bashkëpunimit të cilat synim kryesor kanë pasur përkrahjen, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. 

Në vazhdim, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci foli më shumë rreth Politikës Ndëshkimore dhe sfidat me të cilat përballen gjyqtarët e Gjykatës Supreme, duke thënë se matja dhe caktimi i dënimeve të ndryshme për veprat përafërsisht të njëjta penale, me rrethana dhe kushte të barabarta, përveç problemeve që na shkakton, po ka ndikim negativ në opinion duke krijuar bindjen tjetër.”

Kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, diskutoi rreth drejtësisë civile dhe ka thënë se në Kosovë kurrë nuk do të ketë drejtësi të plotë, përderisa nuk rritet efikasiteti në zgjidhjen e lëndeve civile. Sipas tij, zgjidhja e lëndëve në kontestet civile, po zgjatë më vite dhe se qytetarët janë lodhur nga kjo pritje. Shala ftoi KGJK-në, që t’i shtoj përpjekjet për të gjetur zgjidhje, për mijëra lëndë të pa kryera të këtij lloji, dhe propozoj që viti 2020, të jetë vit i drejtësisë civile.

Përfaqësuesi nga Ambasada Amerikane, Corey Smith, prezantoi Programin “Justice Abroad” të Universitetit Wake Forest, i cili është bashkëpunim në mes të Ambasades Amerikane dhe këtij universiteti.Programi mundëson bursa amerikane për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, të cilët ai i inkurajon të aplikojnë për të ndarë bashkë praktikat më të mira dhe përvojën.

Në pjesën e fundit të Konferencës, ishin diskutimet në panel nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili diskutoi rreth punëve, risive dhe sfidave të Institucionit të Avokatit të Popullit gjatë vitit 2019, Gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku, rreth realizimit të së drejtave të grave në pronë, dhe prezantimi nga Kryesuesja e Shoqatës së grave gjyqtare e prokurore të Kosovës, Hidajete Gashi, rreth Forumit të grave gjyqtare e prokurore të Kosovës.