Mbretëria e Bashkuar në Kosovë, KGJK dhe KPK, të gatshme të luftojnë pastrimin e parave

Mbretëria e Bashkuar në Kosovë, KGJK dhe KPK, të gatshme të luftojnë pastrimin e parave

Prishtinë, 3 dhjetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, mori pjesë në hapjen e punëtorisë dy ditore për luftimin e pastrimit të parasë dhe konfiskimit të pasurisë, të organizuar nga Ambasada Britanike. Kjo punëtori, udhëhiqet nga gjyqtari britanik Michael Hopmeier, i cili ka ndarë eksperiencën e tij në rastet e krimeve ekonomike me gjyqtarë, prokurorë dhe hetues nga policia, dogana dhe administrata tatimore e Kosovës.

Sipas Ambasadorit Britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, institucionet vendore janë ato të cilat duhet të hetojnë, zbulojnë, dënojnë dhe shkatërrojnë skemat e pastrimit të parasë.
”Është shumë e rëndësishme që ju dhe institucionet tuaja përpos dhënjes së kompetencave për luftimin e pastrimit të parasë agjencive që duhet të kenë një kompetencë të tillë, të keni edhe koordinim të ngushtë me njëra-tjetrën.”, tha Abbott.

Kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj, tha se pastrimi i parave në konceptin juridik konsiderohet si vepër penale e dënueshme, si dhe shkelje e rendit ligjor të shtetit. Shtrirja dhe përmasat që ka marrë ky fenomen është shqetësues në nivel global. Në fakt, paraja apo përfitimi i kundërligjshëm është një prej arsyeve në pjesën dërmuese të aktiviteteve kriminale, e si rezultat, pastrimi i parave paraqet procesin e përdorur për të fshehur burimin e asaj pasurie që rrjedh nga veprimtaria kriminale.

“Kështu që, ndaj këtij fenomeni, fatkeqësisht as ne si shoqëri kosovare nuk kemi mbet imun, përkundrazi trendët e kësaj dukurie kriminale po rriten, edhe pse ndjekja dhe lufta nga policia dhe organet e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, vijojnë me ritme të fuqizuara. Në rrafshin legjislativ Kosova ka përafruar legjislacionin e saj në raport me konventat ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së, të cilat i referohen kësaj fushe, por që padyshim mbetet ende punë dhe përkushtim më i fuqishëm nga të gjithë akterët relevant, përfshirë edhe neve që jemi këtu, në mënyrë që të arrijmë materializimin e objektivave, apo synimeve për ta luftuar këtë fenomen të rrezikshëm për shoqërinë”, tha Çoçaj.

Ndërsa, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, tha se sfidat më të madha me të cilat po ballafaqohet sistemi i drejtësisë janë krimi i organizuar, korrupsioni dhe veprat penale që lidhen me pastrimin e parasë, prandaj punëtori të tilla janë të mirëseardhura për prokurorët.

“Në këtë punëtori, kemi mundësinë të njihemi me sfidat, perspektivat, të arriturat dhe legjislacionin e Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër këtyre fenomeneve”, tha Hyseni.

Kjo punëtori dy ditore po udhëhiqet nga Michael Hopmeier, gjykatës nga Mbretëria e Bashkuar, i cili do të diskutojë për sfidat e hetimit të krimit ekonomik, rregullimin dhe parandalimin e pastrimit të parave, regjimin e konfiskimit në Kosovë dhe tema të tjera lidhur me konfiskimin.