KGJK merr pjesë në diskutimin mbi bashkëpunimin në mes të gjyqësorit dhe organizatave të shoqërisë civile

KGJK merr pjesë në diskutimin mbi bashkëpunimin në mes të gjyqësorit dhe organizatave të shoqërisë civile

Anëtarë të KGJK-së morën pjesë në diskutimin e organizuar nga Programi i USAID-it për përforcimin e sistemit të drejtësisë mbi bashkëpunimin në mes të gjyqësorit dhe Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC). Rolet dhe përgjegjësitë e këtyre OShC-ve përfshijnë inkurajimin e qytetarisë aktive, avokimin e nevojave të qytetarëve, si dhe të vepruarit si monitorues të gjyqësorit.

Në fjalën e tij hyrëse, kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj ka diskutuar për sukseset të cilat janë produkt i bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe organizatave të shoqërisë civile, duke përfshirë këtu ngritjen e procedurave disiplinore ndaj gjyqtarëve, zgjidhjen e çështjeve të konfiskimit, si dhe monitorimin e publikimit të aktgjykimeve të gjykatave.

Ai tha, “Është e rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile të vazhdojnë me raportimin në gjyqësor dhe të avokojnë gjithmonë përmirësimin e tij duke ofruar analiza dhe duke sugjeruar rekomandime praktike.”

Përfaqësuesit e OShC-ve shtuan se do të ketë rritje të këtij bashkëpunimi në mes të gjyqësorit dhe OShC-ve sepse të dyja palët i ndajnë të njëjtat objektiva duke ndihmuar kështu në arritjen e qëllimeve dhe në përparimin e gjyqësorit.