Ambasada Norvegjeze mbështet Projektin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve, (SMIL)

Ambasada Norvegjeze mbështet Projektin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve,  (SMIL)

Prishtinë, 22 Nëntor 2019 – Në ambientet e Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGjK) dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, kanë pritur sot në vizitë ambasadorin e shtetit të Norvegjisë, z.Jens Erik Grondahl si dhe përfaqësues tjerë të ambasadës.

Me këtë rast, Kryesuesi i KGjK-së, z.Skender Çoçaj, ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin  e shtetit të Norvegjisë për të punuar me sistemin gjyqësor me qëllim të forcimit të ligjit e në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të Projektit SMIL.

‘Jemi falënderues Qeverisë së Mbretërisë Norvegjeze për përkrahjen dhe financimin e zbatimit të Projektit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve, (SMIL), i cili është duke u përdorur plotësisht në të gjitha gjykatat e vendit. Si rezultat i angazhimit tonë, kemi arritur të zbatojmë me sukses shumë të lartë projektin, dhe duke tejkaluar edhe të gjitha pritjet dhe parashikimet. Nuk ka qenë e lehtë aspak, por falë angazhimit të stafit të Projektit të SMIL-it dhe grupeve punese të ndryshme në projekt, janë tejkaluar të gjitha sfidat duke arritur rezultate shumë të mira’ tha Çoçaj

Nga ana tjetër, ambasadori i shtetit të Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl vlerësoi thellë punën e bërë lidhur me implementimin e Projektit SMIL si dhe konfirmoi mbështetjen e plotë të ambasadës Norvegjeze dhe Qeverisë së Norvegjisë në implementimin e mëtejmë të Projektit SMIL në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Të pranishmit vizituan Qendrën e të Dhënave, në Pallatin e Drejtësisë, ndërtimi i së cilës është financuar nga Qeveria Norvegjeze dhe vlerësuan se, përmes këtij projekti është ngritur edhe infrastruktura e rrjetave kompjuterike për ndërlidhjen e gjykatave me qendrën e të dhënave në Pallatin e Drejtësisë.