Diskutim në tryezën e rrumbullakët – Si të përmirësojmë më tej sistemin e ndërmjetësimit në Kosovë?

Diskutim në tryezën e rrumbullakët – Si të përmirësojmë më tej sistemin e ndërmjetësimit në Kosovë?

Prishtinë 14 nëntor 2019 – Në vitin 2019, numri i rasteve të referuara në procedurë të ndërmjetësimit është rritur pothuajse 50% më shumë në krahasim me vitin 2018. Kjo rritje e lartë dëshmon se qytetarët janë të gatshëm të përdorin procedurën e ndërmjetësimit si një mjet i zbatueshëm alternativ i zgjidhjes së kontesteve. Poashtu, kjo tregon se institucionet relevante po zbatojnë ligjin mbi Ndërmjetësimin në mënyrë më efektive. Kjo paraqet një mundësi për të avancuar më tej procedurën e ndërmjetësimit dhe promovimin e qasjes në drejtësi për të gjithë.

Projekti i Sundimit të Ligjit të UNDP-së, mbështetur nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë ka organizuar një tryezë të rrumbullakët mbi avancimin e procedurës së ndërmjetësimit, meqë rast ka mbledhur edhe përfaqësues të lartë të sistemit të drejtesisë, përfshirë: Zv. Kryesuesen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, të gjithë Kryetarët e Gjykatave, Kryeprokurorët dhe ndërmjetësuesit, për të identifikuar sfidat e mbetura në procedurën e ndërmjetësimit dhe së bashku t’i rekomandojnë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të avancohet edhe më tepër procedura e ndërmjetësimit.

Zv. Kryesuesja e KGjK ndër tjera tha se: “Ndërmjetësimi si mjet alternativ për zgjidhjen e rasteve mundëson zgjidhje më të shpejtë, kontroll më të madh e më shumë fleksibilitet. Kemi rritje të numrit të lëndëve në lëminë penale, por duhet të rritet numri i rasteve civile. Në këtë mënyrë, ne si KGjK do të mund të angazhoheshim drejtë sigurimit të resursve njerëzore dhe infrastrukturore sa i përket lëndëve të referuara në procedurë të ndërmjetësimit. Nëse ndërmjetësimi funksionon si duhet, do të rritet efikasiteti i gjyqësorit, do të zvogëlohet numri i lëndëve të grumbulluara dhe do të përmirësohet performanca, imazhi i gjyqësorit dhe rritja e besueshmerisë së publikut”.

Kjo qasje do të kontribuojë në ndihmën ndaj gjykatave dhe prokurorive, në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të lëndëve dhe ofrimin e zgjidhjeve alternative më të lehta dhe më të shpejta për qytetarët.