Mbahet takimi i 226-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 226-të i KGjK-së

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 226-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Drejtori i Departamentit të Statistikës – SKGJK, njoftoi Këshillin lidhur me punën e gjykatave për periudhën Janar – Shtator 2019, gjatë së cilës Gjykatat kanë pasur rezultate shumë të mira, pasi kanë zgjidhur lëndë më shumë se sa që kanë pranuar.

Në vijim të takimit, anëtarët e Këshillit miratuan kërkesën e Grupit Punues të Përdoruesve (GPP) të Projektit SMIL për lirimin nga raportimi manual i Gjykatave Themelore dhe degët e tyre nga data 1 Janar 2020, përjashtimisht – Degës në Zubin Potok dhe Leposaviq të Gjykatës Themelore Mitrovicë, për lëmin civile dhe penale. Deri në fund të vitit do të përfundojnë të gjitha trajnimet dhe regjistrimi i të gjitha lëndëve të vjetra në sistem.

Në përgjithësi, SMIL është pritur mirë nga gjykatat, grupi punues ka bashkëpunim të lartë nga gjyqtarët dhe administratorët e gjykatave dhe ka rezultate të mira. Aktivitete me rëndësi të cilat janë në zbatim e sipër për vitin 2019 janë: shpërndarja automatike e lëndëve, ndërlidhja mes gjykatave dhe prokurorive, zhvillimi i regjistrave si dhe lidhja me portalin e KGjK-së për gjenerimin e statistikave të lëndëve.
Këshilli në konsultim me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabašić, caktoi gjyqtarin Ali Kutllovci – nënkryetar të kësaj gjykate.

Anëtarët e Këshillit morën vendim për shpalljen e konkursit të brendshëm për një pozitë për gjyqtar nga radhët e komunitetit serb, në Gjykatën e Apelit – Divizioni në Mitrovicë, si dhe aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për propozim tek Presidenti i R. Kosovës, për lirim nga detyra e një (1) gjyqtari, për shkak të përfundimit të mandatit, me arritjen e moshës së pensionimit.

Gjatë takimit, Këshilli caktoi anëtarët e Komisioneve Vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën gjyqtar mbikëqyrës në: Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Graçanicë, Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega Viti, si dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj – Dega Shtëpcë.

Anëtarët e Këshillit shqyrtuan dhe aprovuan dorëheqjen e Armend Berisha nga pozita e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për arsye personale dhe në mbështetje të Ligjit për Këshillin. Meqenëse gjyqtari Berisha ka qenë edhe Kryetar i Komisionit për Çështje Normative, Këshilli caktoi gjyqtaren Anita Krasniqi-Prenaj – Kryetare të këtij Komisioni, gjyqtarin Gjimshit Galushi – anëtar të rregullt të këtij Komisioni, si dhe gjyqtaren Manushe Karaqi -anëtare rezervë.

Në fund të takimit, si pika të mbyllura të rendit të ditës, u shqyrtuan, formimi i Panelit Hetimor për një rast disiplinor, si dhe u zhvilluan dy (2) seanca dëgjimore për shqyrtim të raportit nga Paneli Hetmor.