Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi mes KGJK-së dhe AXIOM

Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi mes KGJK-së dhe AXIOM

Prishtinë, 30 Tetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj dhe Drejtori i Projektit, Steve Pitts, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të KGJK-së, Axiom International dhe Agencia Limited.

KGjK dhe Ambasada Britanike përmes partnerëve të saj implementues Axiom International dhe Agencia Limited, kanë lansuar projektin “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, i cili synon të rrisë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin, duke u përqendruar veçanërisht në proceset e rekrutimit, emërimit, avancimit dhe transferimit të të gjithë gjyqtarëve.

Kryesuesi i KGjK, Skender Çoçaj, tha se bashkëpunimi dhe ndihma e Britanisë është e nevojshme, edhe pse sistemi gjyqësor në Kosovë ka shënuar progres kohëve të fundit.

‘Sundimi i qëndrueshëm ligjor paraqet kushtet kryesore për një zhvillim ekonomik dhe përbën faktorin më të rëndësishëm për integrim. Sistemi i drejtësisë ka shënuar progres kohëve të fundit. Andaj, ky projekt është një mundësi e mirë trajnimi për gjyqtarët tanë. KGjK do të ofrojë ndihmë dhe bashkëpunim të pa rezervë për këtë projekt. Mbetem me shpresë që do të jetë një fillim i bashkëpunimit tonë dhe rezultatet e këtij memorandumi do të jenë çelës për një bashkëpunim edhe në të ardhmen’ – tha në mes tjerash Çoçaj.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, tha: “Për të arritur deri tek një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm, transparent dhe llogaridhënës, ne vlerësojmë që janë tri çështje kryesore që duhet të bëhen në mënyrën e duhur, si: rekrutimet, emërimet e stafit udhëheqës të gjykatave dhe vlerësimet e performancës.”

Ky projekt do të zgjasë deri në mars të vitit 2021.