Projektet e USAID-it mbështesin në vazhdimësi sistemin gjyqësor

Projektet e USAID-it  mbështesin në vazhdimësi sistemin gjyqësor

Prishtinë, 28 Tetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (‘KGjK’), Skender Çoçaj, priti në takim Drejtorin e Projektit të USAID Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi rreth të arriturave të gjyqësorit dhe bashkëpunimi i KGjK-së me projektin Drejtësia Komerciale, i cili synon të përmirësojë sundimin e ligjit dhe të nxisë zhvillimin ekonomik si dhe investimet përmes një mjedisi më të mirë të së drejtës tregtare.

Si çështje me prioritet u diskutua zgjedhja alternative e procesit të përmbarimit dhe ndërmjetësimit, rreth së cilës projekti është i gatshëm të ofrojë mbështetje për personelin e gjykatave, duke pasur parasysh që KGjK është faktori kryesor për zhvillimin, funksionimin dhe llogaridhënien e këtyre dy institucioneve.

Kryesuesi i KGjK, e vlerësoi lartë angazhimin e vazhdueshëm të këtij Projekti në fusha shumë të rëndësishme, duke premtuar angazhim edhe nga ana e gjyqësorit.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit për të ofruar edhe më tutje mbështetje në zbatimin e legjislacionit dhe forcimit të kapaciteteve.