Britania, mbështetje e madhe për institucionet e drejtësisë në Kosovë

Britania, mbështetje e madhe për institucionet e drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 28 Tetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, priti në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott të cilit, fillimisht i ka uruar mirëseardhje dhe suksese në misionin e ri diplomatik.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Çoçaj ka njoftuar Ambasadorin Abbott me punën, progresin dhe sfidat e sistemit gjyqësor si dhe përkushtimin e tij për të luftuar dukuritë negative duke filluar nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe vepra tjera penale. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjet dhe falënderimet e thella për kontributin e vazhduar që Ambasada Britanike i ka dhënë gjyqësorit në Kosovë. 

‘Padyshim që një prej objektivave të KGJK-së është fuqizimi i mëtejshëm i aspektit të rekrutimit, përzgjedhjes dhe avancimit të gjyqtarëve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, për çka besojmë fuqishëm që përmes partneritetit me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht të “Axom International & Agencia Ltd” do e arrijmë qëllimin e përbashkët.’ – theksoi Kryesuesi Çoçaj.

Në anën tjetër, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ka falënderuar kryesuesin Çoçaj për mikpritje duke i premtuar bashkëpunim dhe partneritet të vazhdueshëm.

‘Erdha këtu për të siguruar se do të jem i hapur me sistemin gjyqësor dhe se sundimi i ligjit ka qenë dhe do të mbetet prioritet për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar’ – deklaroi Ambasadori Abbott.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me qëllim të ngritjes së efikasitetit në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.