Kryetarët e gjykatave raportuan para KGjK-së

Kryetarët e gjykatave raportuan para KGjK-së

Prishtinë, 25 Tetor 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 225-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Gjatë këtij takimi, para anëtarëve të Këshillit, kryetarët e gjykatave themelore dhe kryetari i Gjykatës së Apelit, raportuan  për tremujorin e II-të  (prill- qershor) dhe tremujorin e III-të (korrik- shtator) të vitit 2019.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u vërejt se gjatë këtyre gjashtë muajve ka pasur rezultate pozitive dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha gjykatat themelore dhe në Gjykatën e Apelit. Raportet statistikore të këtyre gjykatave do t’i publikojmë me një raport të veçantë.

Bazuar në raportimin e kryetarëve të gjykatave sfidat gjatë punës së tyre dhe kërkesat ishin të ngjashme duke filluar nga rritja e numrit të gjyqtarëve, mungesa e përkthyesve, arkivës nëpër gjykata, asgjësimin e lëndëve të vjetra etj. Gjithashtu, u kërkua të shqyrtohet mundësia edhe për një pagë solide për praktikantë në gjykata.

Kryetarët e gjykatave vlerësuan lartë avancimin e Projektit të Teknologjisë Informative ‘SMIL’, në të gjitha gjykatat, i cili është duke u përdorur me sukses si dhe publikimin e aktgjykimeve.

‘Ka efikasitet dhe rritje të transparencës në gjykata, në aspektin e përgjithshëm statistikat janë pozitive, janë lëndët përmbarimore dhe të kundërvajtësve që rrisin numrin e lëndëve të pakryera. Andaj, kërkoi nga të gjithë kryetarët e gjykatave të kenë fokus të veçantë në kryerjen e këtyre lëndëve për një afat më të shkurtër’, – tha Kryesuesi Çoçaj në mes tjerash.

Këshilli, formoi Komisionin për shqyrtimin e ankesave lidhur me konkursin për gjyqtarë.  Ndërkohë është marrë vendim për  shpalljen e konkursit për Kryetarë të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Gjykatës Themelore në Pejë.

Po ashtu, Këshilli miratoi draft Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes të Këshillit, Axiom International dhe Agencia Ltd mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, marrëveshje kjo që ka për qëllim të mbështet KGjK-në në proceset e emërimit, avancimit, transferimit, vlerësimit të performancës dhe ngritjes së kapaciteteve përmes programit të mentorimit. Anëtarët e Këshillit autorizuan Kryesuesin Çoçaj për nënshkrimin e kërkesës buxhetore sipas kufijve buxhetorë të dhënë në qarkoren buxhetore 2020/02 duke përfshirë edhe kërkesën shtesë të dërguar në muajin qershor 2019 në Kuvend.