Gjyqësori i Kosovës, pjesë e vlerësimit të zbatimit të KEDNJ

Gjyqësori i Kosovës, pjesë e vlerësimit të zbatimit të KEDNJ

Prishtinë, 18 Tetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, së bashku me Kryetarin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala dhe Kryetarin e Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, u takuan me eksperten e Këshillit të Evropës, znj. Mirjana Lazarova Trajkovska, ish gjykatëse në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, si pjesë e projektit të Këshillit të Evropës “Përmirësimi i Mbrojtjes së Standardeve Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Kushtetuese”.

Qëllimi i takimit ishte njoftimi i ekspertes me gjendjen e përgjithshme në gjykatat e Kosovës rreth zbatimit të Konventës për të drejtat e njeriut, në kuadër të vlerësimit të zbatimit të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe lirive themelore (KEDNJ) nga Gjykata Kushtetuese.

Të drejtat dhe liritë e njeriut garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, prandaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kujdes të shtuar për çështje të ndryshme në pajtim me praktikën gjyqësore të KEDNJ.