KGjK ka pritur në takim një delegacion nga gjyqësori i Maqedonisë

KGjK ka pritur në takim një delegacion nga gjyqësori i Maqedonisë

Prishtinë, 10 Tetor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skënder Çoçaj, ka pritur në vizitë një ditore delegacionin e nivelit të lartë nga gjyqësori i Maqedonisë Veriore, të përbërë nga: Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë, Kiro Zdravev, Kryetari i Gjykatës Themelore Civile në Shkup, Ilir Sulejmani, Kryetari i Gjykatës Penale në Shkup, Ivan Dzolev, Udhëheqësi i TI në Këshill Gjyqësor të Maqedonisë dhe tre gjyqtarë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i praktikave më të mira, proceseve të realizimit të aktiviteteve kryesore si dhe përvojat tona në zbatimin e Projektit të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve (SMIL), pasi që sistemi gjyqësor në Maqedoni, është i interesuar për të filluar me zbatimin e një projekti të ngjashëm. Gjatë takimit të mbajtur në KGjK, delegacioni u njoftua më detajisht rreth organizimit të SMIL, metodologjive të përdorura, dhe zhvillimit të deri tanishëm të SMIL në gjykata, i cili aktualisht është në fazën konsoliduese.

“Ne do të shkëmbejmë përvojat tona dhe sfidat gjatë aplikimit të Projektit SMIL në gjyqësorin tonë dhe si vend fqinj i juaji, jemi të hapur për bashkëpunim me ju. Takime të tilla, KGjK i vlerëson shumë të rëndësishme sepse forcojnë bashkëpunimin rajonal në fushën e gjyqësorit dhe dixhitalizimit.” tha mes tjerash Çoçaj.
Nga ana tjetër, Kryetari Zdravev ka falënderuar për mirëpritjen dhe përkrahjen e gjyqësorit të Kosovës dhe është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e shtetit fqinj të Maqedonisë.

Pas vizitës në Qendrën e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Pallatin e Drejtësisë, delegacioni vizitoi Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku u takuan me Kryetarin e kësaj Gjykate, Bashkim Hyseni, dhe gjyqtarë nga lëmia penale dhe civile, të cilët diskutuan përfshirjen e stafit të gjykatës dhe gjyqtarët në realizimin e projektit si dhe përvojën e tyre në përdorimin e sistemit.