Shpallje Programi i Mentorimit për Gjyqtarë dhe Prokurorë

Shpallje Programi i Mentorimit për Gjyqtarë dhe Prokurorë

Ambasada Britanike në Prishtinë bashkë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë kënaqësinë që të shpallin nisjen zyrtare të Programit të Mentorimit për Gjyqtarë dhe Prokurorë. Ftohen të aplikojnë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në një përvojë pozitive të të mësuarit me qëllim të përmirësimit të aftësive dhe shkathtësive të tyre në trajtimin e formave më të rënda të lëndëve penale që vijnë para gjykatave në Kosovë.

Synimi kryesor i programit është të forcohen shkathtësitë profesionale, integriteti dhe besimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të përzgjedhur përmes mentorimit dhe trajnimit individual të personalizuar. Ambasada Britanike do të përzgjedhë tre prokurorë dhe tre gjyqtarë për programin e mentorimit përmes një procesi të hapur dhe meritor të përzgjedhjes.

Programi do të përfshijë ndërveprim intensiv personal me praktikues (gjyqtarë dhe prokurorë) të MB-së të dizajnuar për të zhvilluar shkathtësitë si teknike ashtu edhe të menaxhimit të lëndëve dhe për të ndihmuar në ndërtimin e shtigjeve për perspektivë dhe zhvillim në karrierë. Aktiviteti i mentorimit personal do të bëhet në Kosovë ndërsa do të ketë edhe vizita studimore në Angli ku kandidatët e suksesshëm do të mund të takohen me gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës të tjerë që shërbejnë në Shërbimin e Drejtësisë Penale të Anglisë dhe Uellsit, do të vëzhgojnë mënyrën e tyre të punës, do të shkëmbejnë ide dhe do të fitojnë një pasqyrë të vlefshme për praktikat më të mira të punës. Do të ketë edhe një mundësi për të vizituar organizatat kryesore të drejtësisë penale siç janë: Agjencia Kombëtare e Krimit, Autoriteti i Sjelljes Financiare, Zyra e Mashtrimeve të Rënda, një Stacion të Forcës Policore dhe Gjykatat.

Pritet që pasi pjesëmarrësit të kenë përfunduar programin të jenë në gjendje dhe të gatshëm t’i ndajnë përfitimet e mësimit të tyre me kolegët e tyre.

Programi do të përqendrohet në menaxhimin e lëndëve më të vështira dhe më të rënda siç janë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të rëndë dhe të organizuar dhe pastrimit të parave.

Pjesëmarrja e suksesshme në program do të:

Mbështesë zhvillimin individual dhe të karrierës;
Ndihmojë rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë penale;
Ndihmojë pjesëmarrësit në rritjen e aftësive dhe shkathtësive të tyre në trajtimin e lëndëve më sfiduese penale që paraqiten para gjykatave.

Ju duhet të plotësoni kriteret e mëposhtme të pranueshmërisë dhe duhet që:

Të jeni gjyqtar/e me mandat të përhershëm aktualisht i/e caktuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë OSE aktualisht i/e caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda të një Gjykate Themelore;

Të jeni prokuror/e me mandat të përhershëm aktualisht i/e caktuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) OSE aktualisht i/e caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda të një Prokurorie Themelore;

Të jeni të gatshëm t’i nënshtroheni çfarëdo procesi të verifikimit që mund të kërkohet nga ndonjë prej organizatave të MB-së të përfshire në ofrimin e programit të mentorimit;

Të keni pasaportë të vlefshme apo të jeni të në gjendje që të aplikoni për një të tillë dhe të jeni të gatshëm dhe të mund të udhëtoni në MB ndoshta për një periudhë më të gjatë kohore;

Të merrni pëlqimin e Kryetarit të Gjykatës apo të Kryeprokurorit për të marrë pjesë në projekt;

Ju do të vlerësoheni për kriteret e mëposhtme dhe do të përzgjidheni në bazë të meritës:

Kushti i gjuhës – nivel i arsyeshëm i rrjedhshmërisë në gjuhën angleze është i dëshirueshëm por jo thelbësor. Nëse përzgjidhet një kandidat që nuk mund të flasë gjuhën angleze, atëherë atyre do t’ju ofrohet ndihmë gjuhësore.

Ju duhet të demonstroni:

Nivel të lartë të profesionalizmit dhe përkushtimit personal ndaj zhvillimit personal dhe procesit të mentorimit.

Gatishmëri dhe aftësi për t’u ofruar trajnim të tjerëve për mësimet e fituara nga programi i mentorimit.

Kompetenca profesionale të mëposhtme:

  • vendimmarrje efektive;
  • zgjidhje efektive të problemeve;
  • paanshmëri;
  • integritet;

Në formularin e aplikimit duhet të shpjegoni se si i plotësoni këto kritere të vlerësimit.

Dorëzimi i aplikacionit:

Gjyqtarët dhe prokurorët që dëshirojnë të aplikojnë për këtë mundësi duhet të plotësojnë formularin e aplikimit të bashkëngjitur dhe të sigurohen që ta dorëzojnë përmes postës elektronike te Mark Dixon markdixon@agencialtd.com deri më 14 shtator 2019. Intervistat aktualisht janë planifikuar që të mbahen në javën që fillon më 23 shtator 2019.

Informacionet tjera mund t’i merrni nga Mark Dixon markdixon@agencialtd.com, Blerina Jashari blerina.jashari@axiom-international-ltd.com apo Miodrag Jovic jovic.miodrag@gmail.com, të cilët do të kenë kënaqësinë t’ju ndihmojnë më tej.