Mbahet takimi i 223-të i KGjK-së

Mbahet takimi i 223-të i KGjK-së

Prishtinë, 05 Shtator 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 223-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Këshilli, miratoi draft rregulloren për certifikimin e interpretëve dhe përkthyesve gjyqësorë, me të cilën përcaktohen procedurat e certifikimit dhe emërimit, kushtet, të drejtat dhe detyrimet për përkthyes dhe interpret gjyqësor, lartësia e shpërblimit për punën e tyre, si dhe largimi nga regjistri.

Në vijim të takimit, është miratuar kërkesa për vazhdimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe KGJK-së, përmes së cilës lejohet qasja e monitorëve të FHD në shkresat zyrtare të lëndëve që vëzhgohen.

Këshilli miratoi draftin për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Akademisë së Drejtësisë dhe KGJK-së lidhur me përcaktimin e politikave për trajnime dhe lejimin e qasjes në bazën elektronike të të dhënave. Ky bashkëpunim do të fokusohet në shkëmbimin e informatave dhe zbatimin e aktiviteteve lidhur me vlerësimin e nevojave për trajnime.

Me kërkesë të Kryesuesit të Panelit Hetimor për zgjatje të afatit hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/2019-GJS-2019-002, Këshilli aprovoi zgjatjen e afatit për një periudhë prej dy (2) muajve, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Gjatë takimit, Këshilli emëroi anëtarët e Komisionit për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj me këtë përbërje: Skënder Çoçaj (Kryetar i Komisionit), Nenad Lazić, Anita Krasniqi-Prenaj, Qerim Ademaj, Nikollë Komoni dhe Afërdita Bytyqi (anëtare rezervë).

Me kërkesë së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, për angazhimin e gjyqtarit Musa Konxheli, ish gjyqtar i kësaj gjykate, përkohësisht për një periudhe deri në përfundimin e dy (2) çështjeve gjyqësore/lëndëve të mbetura të cilat janë në fund të shqyrtimeve gjyqësore. Me qëllim të mos zvarritjes së këtyre proceseve gjyqësore, Këshilli aprovoi kërkesën e Kryetarit Hyseni.