Mbahet takimi i radhës i Bordit ‘Drejtësia 2020’

Mbahet takimi i radhës i Bordit ‘Drejtësia 2020’

Prishtinë, 21 Qershor 2019 – Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020”, kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe në përbërje të kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj dhe zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, kanë mbajtur sot takimin e radhës.
Në takim kanë marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, si dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, EULEX-i dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Zbatimi i masave të “Drejtësia 2020” që ndërlidhen me të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2019, si dhe ato që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Mbrojtjes së Sinjalizuesve, ishin temë e diskutimit në këtë takim.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka informuar Bordin për progresin e arritur në hartimin e akteve nënligjore nga këto dy ligje. Sipas tij, tashmë secili institucion ka caktuar një zyrtar përgjegjës për sinjalizim, në mënyrë që të parandalohen nga brenda abuzimet e mundshme me paranë publike.

Në luftën kundër korrupsionit, prioritet themelor mbetet konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Kryesuesi Çoçaj ka njoftuar Bordin që me synimin që të rritet efikasiteti i gjyqësorit dhe që të përmirësohet administrata gjyqësore, ne jemi duke implementuar dy projekte të financuara nga partnerët ndërkombëtar, Projektin SMIL (Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve) dhe NCCR (Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale në Kosovë).
Çoçaj tha se, kriteret për shpërndarjen e lëndëve dhe të dhënat statistikore janë në përputhje me rekomandimet dhe metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

Për KGJK- prioritet mbetet zbatimi i Ligjit të ri për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të fuqizuar llogaridhënien – ka theksuar kryesuesi Çoçaj.
Në takim, është diskutuar edhe për nevojën e një koordinimi më të qartë në mes të hierarkisë së institucioneve që merren me hetimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që secili institucion të ushtrojë kompetencat e tij të plota.