Mbahet takimi i 218-të i KGjK-së

Mbahet takimi  i  218-të i KGjK-së

Prishtinë, 27 Maj 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 218-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, z.Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi Draft Rregulloren për Shqyrtimi i Draft-Rregullores për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve.

Në vijim të këtij takimi, është bërë shqyrtimi dhe miratimi i Draft-Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (06/2017) për Trajnimin e Gjyqtarëve.

Pas diskutimeve, anëtarët e Këshillit nuk e aprovuan  kërkesën për transfer të dy gjyqtarëve deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Me kërkesë të Departamentit të Profesioneve të lira të Ministrisë së Drejtësisë (MD) për Komisionin Profesional për Vlerësimin e Përmbarimit, Këshilli emëroi dy (2) anëtarë dhe zëvendës anëtarë nga Gjykata Themelore,  një (1) anëtarë dhe një (1) zëvendës  anëtarë nga Gjykata e Apelit, një (1) anëtarë dhe një (1) zëvendës  anëtarë nga Gjykata Supreme, një (1) anëtarë dhe një (1) zëvendës  anëtarë nga KGjK.

Anëtarët e KGjK-së  i dhanë autorizimin Kryesuesit Çoçaj, për nënshkrim të  Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për implementimin e projektit: “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”. 

Në vazhdimin e kësaj mbledhje, Këshilli refuzoi kërkesën e Zyrës Ligjore të Rrjetit Ballkanik (BIRN) dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS),  për monitorimin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve për Departamentin Special, me arsyetimin se, Memorandumet e Mirëkuptimit të lidhura në mes të Qeveris, apo Kuvendit të Kosovës nuk janë obligative për KGjK.

Pas përfundimit të mandatit të pesë (5) anëtarëve/rezervë të Panelit për Lirim me Kusht, Këshilli emëroi anëtarë/rezervë të rinj nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjithashtu, Këshilli caktoi  një (1) anëtarë rezervë për Komisionin Disiplinor për Gjyqtarë.

Në fund të takimit, Drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, z.Shkelzen Maliqi, njoftoi anëtarët e Këshillit lidhur me mungesën e buxhetit, vështirësitë në të cilat jemi duke hasur aktualisht dhe propozoi që nga kjo mbledhje të dalim me një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave dhe Kuvendit me qëllim të një zgjedhje, duke pasur parasysh se për shkak të mungesës buxhetore kemi probleme në pranimin e punëtorëve të rinj, përkatësisht në plotësimin e pozitave të lira.