Kryesuesi i KGjK, Skënder Çoçaj, mori pjesë në prezantimin e raportit vjetor të monitorimit të gjykatave

Kryesuesi i KGjK, Skënder Çoçaj, mori pjesë në prezantimin e raportit vjetor të monitorimit të gjykatave

Prishtinë, 23 Maj 2019 – Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova ka publikuar sot, Raportin Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2018, ku u prezantuan të gjeturat dhe rekomandimet e raportit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Skënder Çoçaj, gjatë fjalimit të tij, e përgëzoj Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova për raportin e publikuar dhe ka shtuar se shqetësimet e paraqitura në raport janë edhe shqetësime të KGJK-së, edhe përkundër faktit se ka pasur rezultate pozitive prapë se prapë këto rezultate nuk janë të kënaqshme.Lidhur me gjetjet e raportit sa i përket konfiskimit të pasurisë, Çoçaj ka potencuar se është e vërtetë se nuk ka pasur konfiskime për periudhën që raportohet, duke shtuar se së fundmi është mbajtur një takim i përbashkët i KGJK, KPK, kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve të prokurorive dhe koordinatorit nacional për konfiskime ku janë dakorduar që t’i intensifikojnë angazhimet që të kemi rezultate në konfiskim.

Në fund, kryesuesi Çoçaj, deklaroi se KGJK do t’i ketë parasysh të gjitha të gjeturat dhe rekomandimet e publikuara nga ky raport.
Në këtë prezantim të këtij raporti të pranishëm ishin edhe Bahri Hyseni, kryesues i KPK-së, Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, Valdete Daka, gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe Hasan Shala, Kryetar i Gjykatës së Apelit të cilët gjithashtu i paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me raportin në fjalë.