KGJK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës

KGJK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK). Nënshkrimi u bë nga kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi dhe drejtoresha ekzekutive e RRGK-së, Igballe Rogova.

Me këtë marrëveshje, të dy palët pajtohen të bashkëpunojnë në monitorimin e procedurave gjyqësore me qëllim të kontributit të përbashkët për interesin më të mirë për publikun dhe gjyqësorin.

KGJK do t’i ofrojë qasje dhe bashkëpunim të plotë RRGK-së, në monitorimin e seancave gjyqësore të cilat zhvillohen në Gjykatat e Kosovës, lidhur me Dhunën mbi Baza Gjinore dhe Diskriminimin në Punë.

Vlen të ceket që KGJK ofron shërbime gjyqësore të paanshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, njëkohësisht punon edhe në ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve për mbrojtjen e personave që kanë përjetuar dhunë dhe diskriminim në baza gjinore.