Reagim i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Kryetarëve të Gjykatave, ndaj deklaratave të disa prokurorëve individualë lidhur me mos-vullnetin e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit

Reagim i përbashkët i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Kryetarëve të Gjykatave, ndaj deklaratave të disa prokurorëve individualë lidhur me mos-vullnetin e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 04-06-2018 – Së fundmi, në opinionin publik dhe në diskursin publik në Kosovë, janë plasuar deklarata të pamatura dhe të pambështetura nga ana e prokurorëve individualë të cilat nuk i shërbejnë më së miri imazhit të gjyqësorit dhe rritjes së besimit të publikut në punën e gjyqësorit.

Këto deklarata, kanë si emërues të përbashkët hedhjen e përgjegjësisë tek gjykatat duke aluduar në ‘’mos-gatishmërinë e tyre’’ për t’u përballur në mënyrë adekuate më lëndët e korrupsionit, rrjedhimisht duke rezultuar në efikasitet të ulët në trajtimin e këtyre lëndëve, një numër të vogël të aktgjykimeve dënuese dhe dënimeve jo të larta për kryerësit e këtyre veprave.

Ne, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetarët e gjykatave respektive i kundërshtojmë fuqimisht këto deklarime, si të papërshtatshme, me tendencë për të krijuar konfuzion në opinionin publik dhe që nuk i kontribuojnë pasqyrimit real mbi punën e gjyqësorit. Deklaratat e tilla jo vetëm e ulin besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor, por në sistemin e drejtësisë në tërësi. Të gjithë akterët gjyqësorë duhet të bashkëpunojnë për t’ju siguruar qytetarëve siguri, shërbime gjyqësore efikase dhe në kohë të arsyeshme, në këtë drejtim duhet të vihen në lëvizje të gjithë mekanzimat ekzistues zyrtarë për t’i adresuar çështjet dhe ankesa e palëve.

Si përfundim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarët e gjykatave jemi të përkushtuar për një gjyqësor sipas standardeve më të larta të pavarësisë, efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës.