Komunikatë për media

Komunikatë për media

KGJK dhe Gjykatat – Angazhim për Ngritje të Transparencës Prishtinë, 20 prill 2017 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK-së), Nehat Idrizi, ka njoftuar sot, se gjykatat e Kosovës kanë arritur përparime të mëdha në zbatimin e publikimin e aktgjykimeve të gjykatave dhe se përmirësimi i transparencës së sistemit gjyqësor është identifikuar si prioritet i KGjK-së.

Kryetarët e gjykatave dhe stafi i gjykatave kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar transparencën duke rritur ndjeshëm numrin e aktgjykimeve të gjykatave të publikuara në ueb faqet e gjykatave. Në mars të vitit 2017, kanë rezultuar më shumë se, nëntëqind (900) aktgjykime të publikuara në portalin e gjyqësorit në internet, duke shënuar një rritje të madhe nga tetëdhjetë (80) aktgjykime që ishin të publikuara në tetor të vitit 2016.

Deri në dhjetor të vitit 2016 numri i aktgjykimeve të publikuara është rritur me rreth treqind e pesëdhjetë (350) që paraqet rritje mbi 300%. Grafika më poshtë, tregon progresin e arritur nga gjykatat lidhur me publikimet gjatë periudhës së tremujorit të fundit të vitit 2016 dhe tremujorit të parë të vitit 2017.

Gjatë vitit 2016, KGjK-ja, ka themeluar kornizën ligjore për zbatimin e obligimeve për publikimin e aktgjykimeve duke miratuar një udhëzim administrativ mbi publikimin e aktgjykimeve përfundimtare – që paraqet udhëzimet specifike sa i përket anonimizimit dhe publikimit te aktgjykimeve.

Gjithashtu, gjate vitit 2016, Kryetarët e gjykatave kanë identifikuar stafin përgjegjës për përgatitjen e aktgjykimeve për publikim në ueb faqet e gjykatave.

Sipas kryesuesit të KGjK-së, gjatë muajve të kaluar kryetarët e gjykatave dhe stafi i përfshirë në procesin e publikimit të aktgjykimeve, kanë bashkëpunuar me stafin e KGJK-së dhe stafin e Projektit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, për të identifikuar metodat për përmirësimin e procedurave për publikimin e aktgjykimeve. 

Ky grup ka hartuar procedurat standarde për veprim që janë projektuar për të përmirësuar edhe më tej procesin e publikimit të aktgjykimeve të cilat janë duke u shpërndarë tek të gjitha gjykatat.

‘’Në besojmë se udhëzimet për procedurat standarde të veprimit do të çojnë drejt efikasitetit më të lartë dhe përmirësimeve të vazhdueshme në publikimin e aktgjykimeve gjyqësore. Andaj, jam mirënjohës për kontributin e dhënë nga kryetarët e gjykatave dhe stafi i tyre – puna dhe përkushtimi i tyre është qenësor për një gjyqësor efikas dhe transparent” – u shpreh Idrizi.