Turqia vazhdon mbështetjen për sistemin gjyqësor në Kosovë

Turqia vazhdon mbështetjen për sistemin gjyqësor në Kosovë

PRISHTINË, 29 mars 2016 – Kryesuesi Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), z. Nehat Idrizi, sot ka pritur një delegacion nga Akademia e Drejtësisë së Republikës së Turqisë në përbërje prej gjashtëmbëdhjetë zyrtarëve të cilët janë në vizitë zyrtare në Kosovë. Delegacioni ishte i kryesuar nga zëvendës/nën sekretar i Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë z.Basri Bagci të cilëve fillimisht z.Idrizi iu ka uruar mirëseardhje.

Gjatë takimit janë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore me Turqinë, duke theksuar mbështetjen dhe bashkëpunimin që ka dhënë për institucionet e Kosovës në veçanti të sistemit gjyqësor.

z.Idrizi i njoftoi për së afërmi të pranishmit për rolin dhe funksionin e KGJK-së  dhe se në mandatin i tij do të ketë prioritet rritjen e transparencës, realizimin e reformave të reja me qëllim të ngritjes së efikasitetit në sistemin  gjyqësor. “Tani që është një organizim i ri i sistemit gjyqësor nga viti 2013, ne jemi munduar t’i përshtatemi rajonit dhe përvojat  e juaja janë të mirëseardhura dhe se ne do të përfitojmë’’ – tha në mes tjerash Idrizi.

Nga ana tjetër, zëvendës/nënsekretari i Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë z.Basri Bagci, ka falënderuar për mikpritjen e ngrohtë që iu është bërë delegacionit nga ana e institucioneve të Kosovës dhe se ne  jemi duke bërë vizita të shpeshta, ku një gjë e tillë na rrit bashkëpunimin dhe të shkëmbyerit e përvojave tona. “Instituti Gjyqësor është ai nikoqiri që na sjellë përherë në këtë vend aq të dashur për ne, por përveç mirënjohjes  do ta mbështesim në vazhdimësi jo vetëm këtë institucion por tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë.’’ –theksoi Bagci.

Delegacioni turk ishte i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të sistemit të drejtësisë së Turqisë, andaj, me këtë rast shprehën interesim të madh ku iu drejtuan kryesuesit Idrizi me një varg pyetjesh, ndërsa ai ka sqaruar përbërjen e gjyqësorit, procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve, kodin  e etikës, për zyrën e prokurorit disiplinor, shoqatën e gjyqtarëve e deri te performanca gjyqësore.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën vullnetin e plotë për të vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës.