USAID mbështet Këshillin Gjyqësor të Kosovës

USAID mbështet Këshillin Gjyqësor të Kosovës

PRISHTINË, 3 mars 2016 – Kryesuesi Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) z. Enver Peci dhe kryesuesi i sapo zgjedhur z. Nehat Idrizi pritën Asistent Administratorin e USAID-it për Evropë dhe Euro-Azi z. Thomas O. Malia së bashku me drejtorin e USAID-it, Misionit në Kosovë z. James Hope me bashkëpunëtorët e programit të sapo lansuar për fuqizimin e sektorit të drejtësisë në Kosovë.

Z.Peci ka njoftuar përfaqësuesit e USAID-it për arritjet e deritanishme në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit, të arriturat dhe sfidat.

Gjatë këtij takimi, si z.Peci, ashtu edhe z.Idrizi shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it. Me këtë rast, vlerësuan partneritetin dhe mbështetjen duke filluar nga gjykatat model e deri te arbitrazhi, përmbaruesit privat, ndërmjetësimi, noteria, trajnimi i gjyqtarëve e deri te procesi i integrimit si procesi  më i rëndësishëm, jo vetëm për gjyqësorin, por për tërë Kosovën, që të gjitha janë pjesë e vlerave dhe të programeve të vazhdueshme të USAID-it.

‘’Qeveria amerikane ka kontribuar shumë në dhënien e këshillave profesionale duke pasur parasysh sfidat nëpër të cilat ka kaluar sistemi ynë gjyqësor’’ – theksoi në mes tjerash  z. Peci.

Në programin tim kam paraparë reduktimin e lëndëve të vjetra dhe që në këtë drejtim kontribut të madh ka dhënë edhe USAID, me qëllim që të kthehet besimi i publikut në sistemin gjyqësor ‘’– citoi kryesuesi i sapo zgjedhur z. Idrizi.

Z Hope njoftoi të pranishmit se USAID, edhe në programin i ri është fokusuar në përkrahje të sistemit me qëllim të funksionalizimit të plotë të gjyqësorit në Kosovë.

‘’Qeveria amerikane ka qenë e përkushtuar ndaj zhvillimeve në Kosovën e pavarur dhe se ne kemi kënaqësinë që ofrojmë partneritet me sektorin e gjyqësisë si më të rëndësishmin, sepse është me rëndësi thelbësore që qytetarët të kenë një ndjenjë që gjykatat ndanë drejtësinë në mënyrë të drejtë. SHBA mbështet dhe ndihmon në shumë vende të botës, por jo shpeshherë merr mirënjohjen e duhur.Andaj, sukseset tona vlerësohen me sukseset e punës suaj’’ – përfundoi z. Hope.

Me qëllim të shtyrjes përpara të proceseve të dyja palët u pajtuan që fuqizimi i sundimit të ligjit mbetet prioritet dhe se të vazhdohet dhe të përforcohet bashkëpunimi i ndërsjellë.