Këshilli Gjyqësor i Kosovës dënon ashpër aktin qyqar të djegies së veturave zyrtare

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dënon ashpër aktin qyqar të djegies së veturave zyrtare

Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas takimit që pati sot me Kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, z. Hamdi Ibrahimi u njoftua më për së afërmi në lidhje me vënien e zjarrit veturës së Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila ka qenë në përdorim nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë z. Hamdi Ibrahimi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shprehet i indinjuar dhe dënon ashpër këtë akt qyqar, si një lloj mekanizmi shantazhues për t’u zmbrapsur nga vënia e drejtësisë. Ky dhe aktet e një jave më herët,  nuk do të zmbrapsin asnjë nga gjyqtarët e Republikës së Kosovës në mbrojtjen e Kushtetutës, ligjit dhe rendit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i bënë thirrje, të gjitha organeve kompetente që ky akt,  i cili ndodhi natën e kësaj të shtune në Podujevë, sikur dhe djegia e dy veturave tjera zyrtare rreth një javë më parë, njëra e Gjykatës së Apelit e djegur në Prizren, ndërsa tjetra e Gjykatës Themelore në Pejë, të ndriçohen sa më shpejt dhe autorët të vihen para drejtësisë. Demolimi dhe shkatërrimi i pasurisë publike është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se, këto akte nga kushdo qofshin bërë dhe për çfarëdo motivi të jenë kryer, nuk do të ndikojnë në punën e gjyqtarëve kosovar, të cilët do të jenë përherë në shërbim të drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës inkurajon gjykatat që të vazhdojnë t’i kryejnë obligimet e veta, me përgjegjësi të lartë profesionale e morale, duke ndarë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe efikase, njësoj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, ky Këshill, edhe njëherë shpreh përkushtimin e tij në ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm, të pandikuar politikisht dhe të aftë për t’i kryer me përpikëri obligimet e veta ligjore dhe kushtetuese.