Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, priti sot një delegacion të Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit të Zvicrës

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, priti sot një delegacion të Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit të Zvicrës

Prishtinë, 02 tetor 2015 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, priti sot një delegacion të Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit të Zvicrës, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, kryesuesi i Këshillit z.Peci, i njoftoi të pranishmit për strukturën e sistemit gjyqësor në Kosovë, funksionimin, sfidat, si dhe për reformat nëpër të cilat ka kaluar ky sistem.

“Pushteti gjyqësor i Republikës së Kosovës ushtrohet nga gjykatat. Këshilli si institucion është plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij, ky Këshill ka gjithsej trembëdhjetë (13) anëtarë. Gjyqësori në përgjithësi ka pasur reformë të vazhdueshme që nga paslufta me qëllim të fuqizimit të  sistemit, mirëpo, sfidë për ne ka qenë reforma e janarit të vitit 2013, por, tani më në fund funksionalizimi i këtij pushteti është në vjië të mbarë. Ne kemi mjaft punë për të bërë, sidomos në luftimin e korrupsionti dhe krimin e organizuar, e që është edhe njëri prej kushteve për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave “, citoi kryesuesi Peci.

I pranishëm ishte edhe drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor z. Zef Prendrecaj, i cili u foli të pranishmëve me theks të veçantë për rolin dhe funksionalizimin e kësaj zyre si dhe procesin e avancimit të Zyrës së Prokurorit Diciplinor në Kosovë, në funksion të ngritjes së llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

”Ngritja e kapaciteteve të kësaj zyre për sistemin të drejtësisë, është kontribut edhe në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi”, theksoi z. Prendrecaj.

Kryetari i Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit, z.Elie Elkaim, ka falënderuar kryesuesin dhe përfaqësuesit tjerë në takim për mikpritjen, ai pohoi se qëllimi i vizitës së tyre është që të shohin se si funksionon sistemi gjyqësor në një shtet të ri si Kosova, Zvicra e ka mjaft të konsoliduar sistemin e drejtësisë, ne kemi pretendime të kemi një sistem shembullor, por u hapim rrugë të rinjëve që të mbajnë këtë konsolidim, sepse në Zvicër kryejnë Fakultetin Juridik, pesë vjeçar, pastaj kalojnë dy vite praktikë në Odën e Avokatëve, dhe më pas i nënshtrohen provimit të avokaturës”, u shpreh z. Elkaim.

Studentët praktikanë zviceran u interesuan për çështje të ndryshme, sidomos për Zyrën e Prokurorit Disiplinor, që për ta kishte një rëndësi të veçantë.

Në pritje të delegacionit zviceran ishte edhe z. Nehat Idrizi, gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe anëtarë i KGJK-së.

Kjo vizitë pesëditore është organizuar nga Oda e avokatëve të kantonit të Vaudit, që sipas programit të tyre çdo vit vizitojnë nga një vend të ndryshëm të botës, andaj, me kërkesën e z. Jeton Kryeziu, avokat në këtë kanton, vizita u realizua në vendin tonë. Delegacioni ishte i përbërë prej dyzet e shtatë (47) anëtarë.