KGjK, sërish fitues i çmimit për Praktikën më të mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

KGjK, sërish fitues i çmimit për Praktikën më të mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Prishtinë, 10 dhjetor 2020 – Në ceremoninë online të ndarjes së çmimit të organizuar nga Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), komisioni vlerësues shpërbleu Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) sërish me çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, në vlerësim të përpjekjeve për forcimin e zbatimit të të drejtave gjuhësore në Kosovë. Ky çmim është bazuar në monitorimin e përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqen zyrtare të KGjK-së dhe rrjetet sociale.

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGjK-së, Shkelzen Maliqi, pas marrjes së çmimit, tha se Këshilli i ka kushtuar vëmendje të veçantë krijimit të mundësive të barabarta të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për çasje në gjyqësor, pa dallim etnie. 

Z. Maliqi falënderoi Komisionin Vlerësues për ndarjen e këtij Çmimi për të dytin (2) vit me radhë dhe theksoi se ky vlerësim i dedikohet stafit të Zyrës për Informim Publik, Zyrës për Përkthime dhe Zyrës së Teknologjisë Informative. Njëkohësisht, përsëriti përkushtimin e Këshillit dhe të Sekretariatit për të vazhduar me përmbushjen e obligimeve ligjore dhe krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë.