Mbahet takimi i 222-të i KGjK-së

Mbahet takimi  i  222-të i KGjK-së

Prishtinë, 31 Korrik 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 222-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skënder Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Fillimisht, Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, për caktimin e ushtruesit të detyrës së Gjyqtarit Mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarin Ilmi Bajrami, deri në emërimin e gjyqtarëve të rinj, sipas konkursit të shpallur. Gjyqtari në fjalë, deri më tani, ka punuar ne Kolegjin e Apelit.

Në vijim të këtij takimi, është bërë  miratimi i emërimit të Udhëheqësit të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjyqtari Valon Kurtaj, si dhe u emërua Udhëheqësi i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit, gjyqtari Vaton Durguti, tanimë të zgjedhur gjyqtarë në Departamentin Special.

Me kërkesë së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, Këshilli emëroi ushtrues të përkohshëm të detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Dega në Shtërpcë, gjyqtarin Imri Sejda. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, morrën vendim që të shpallin konkurs për një (1) Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Dega në Shtërpcë.

Këshilli shqyrtoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme të SKGJK-së, për pensionimin e gjyqtarit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Hysen Gashi, mandati i së cilit përfundon sipas fuqisë ligjore. Me vendim nga Këshilli, do të njoftohet Presidenti i Republikës së Kosovës.

Anëtarët e KGJK-së përzgjedhën panelin për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili përbëhet nga gjyqtarët: Evner Peci, Manushe Karaqi, Cerim Fazliji, Nenad Laziq dhe Isa Kelmendi. Kryetar i këtij paneli është Enver Peci ndërsa anëtare rezervë janë gjyqtaret Makifete Saliuka dhe Gyltene Sylejmani.

Këshilli miratoi kërkesën për marrjen e vendimit lidhur me ndërprerjen e regjsitrimit të lëndëve të reja në Sistemin Informativ të Regjistrimit të lëndëve (Case Information System) i zhvilluar me financim nga USAID, meqenëse pas vënies në zbatim të SMIL në Regjionin e Prishtinës dhe Mitrovicës, po regjistrohen të dhënat e njëjta në dy sisteme. Vendim i njejtë është nxjerrë vitin e kaluar për pesë (5) gjykatat tjera themelore, për Lëminë Penale.

Gjatë mbledhjes, anëtarët miratuan vendimin për dhënie në shfrytëzim të veturave 24 orë në ditë, gjyqtarëve të Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit, në bazë të Udhëzimit Administrativ të KGjK-së për “Shfrytëzim të Automjeteve Zyrtare në Gjyqësorin e Kosovës”.

Pas shqyrtimit të raportit të Departamentin Special për Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën e Apelit, anëtarët e Këshillit Gjyqësor e aprovuan atë.

Gjithashtu, anëtarët e Këshillit, përmes procesit të votimit me komision nga tre (3) anëtarë, me shumicë votash të fletë votimeve, caktuan zëvendës kryesuesen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Makifete Saliuka.

Në vazhdimin e kësaj mbledhje, u prezantua propozimi i Axiom International dhe Agencia Ltd për lidhjen e memorandumit të bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ky draft do të analizohet nga Zyra Ligjore dhe Komisioni për Akte Normative e më pas mbetet të shqyrtohet nga KGJK.

Në fund të takimit, si pika të mbyllura të rendit të ditës, u shqyrtuan, formimi i Panelit Hetimor dhe ankesa ushtruar ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor KD.nr.03/2019.