Kryesuesi i KGjK-së dhe KPK-së pritën në takim lamtumirës ambasadorin dhe zëvendës/ambasadorin e Norvegjisë

Kryesuesi i KGjK-së dhe KPK-së pritën në takim lamtumirës ambasadorin dhe zëvendës/ambasadorin e Norvegjisë

Prishtinë, 3 Qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (KGjK), Skënder Çoçaj dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë pritur sot në takim lamtumirës shkëlqesinë e tij ambasadorin e Norvegjisë, Per Strand Sjaastad dhe zëvendës/ambasadorin Stein Eivar Lothe.

Në takim, kryesuesi Çoçaj, ka shprehur falënderimin e tij për ambasadorin Sjaastad dhe zëvendësin e tij, Lothe, për punën dhe kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e tyre për avancimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor të vendit tonë.

‘Gjatë kohës së qëndrimit të tyre në vendin tonë, janë arritur rezultate të larta e në veçanti në implementimin e sistemit të SMIL në gjyqësorin e Kosovës. Implementimi i këtij Projekti ka pasur ndikim thelbësor në sistemin gjyqësor të Kosovës, objektivi kryesor i së cilit është rritja e efikasitetit dhe transparencës, menaxhimi më efektiv i punës si dhe standardizimi i procesit të punës për gjykata dhe prokurori’ – tha në mes tjerash, Çoçaj.

Nga ana tjetër, ambasadori Sjaastad, vlerësoi lartë bashkëpunimin me dy kryesuesit. ‘Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar që unë dhe zëvendësi im kemi shërbyer në vendin tuaj, gjithashtu, ju falënderoi për kurajon dhe mbështetjen që i keni dhënë projektit SMIL. Ajo që është e rëndësishme është që ta dërgojmë Kosovën përpara përmes shtetit të së drejtës’ – theksoi ambasadori Sjaastad në takimin lamtumirës të organizuar nga KGjK dhe KPK.

KGJK dhe KPK, mbetën të përkushtuar dhe shprehen gatishmërinë për bashkëpunim edhe më tutje me shtetin Norvegjezë e sidomos në fushën e sundimit të ligjit.