Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese dhe Lëvizjes ‘FOL’

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese  dhe  Lëvizjes ‘FOL’

Prishtinë, 01 Korrik 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skënder Çoçaj, priti në takim Drejtoreshën e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN, Jeta Zharra dhe Drejtoreshën e Lëvizjes ‘FOL’, Mexhide Demolli.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i KGjK-së, Drejtoresha e BIRN-it dhe Drejtoresha e Lëvizjes ‘FOL’ kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili lidhet me mbështetjen e USAID – Programi për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (JSSP), dhe ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përmes kësaj marrëveshjeje mundësohet monitorimi i drejtpërdrejtë i punës së Këshillit Gjyqësor dhe punës së gjykatave në Kosovë me synimin që të përmirësohet dhe matet efikasiteti, llogaridhënia, transparenca, trajtimi i barabartë i palëve në procedurë, pa-anshmëria si dhe të rekomandohet evitimi i mangësive në trajtimin e rasteve gjyqësore.

Kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj, ka falënderuar të dy organizatat jo qeveritare me të cilat Këshilli përherë ka pasur bashkëpunim dhe se ky bashkëpunim, do të vazhdoi edhe në të ardhmen, me qëllim që të kontribuojë në llogaridhënien dhe transparencën sa më të plotë para qytetarëve të Kosovës.

Memorandum i Mirëkuptimit, i cili është nënshkruar ndërmjet KGjK – BIRN dhe Lëvizjes ‘FOL’ do të fillojë së zbatuari nga 1 Korriku 2019 dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2020.