KGJK dhe GIZ nënshkruajnë Marrëveshjen e Zbatimit për Projektin e Bashkëpunimit Teknik

KGJK dhe GIZ nënshkruajnë Marrëveshjen e Zbatimit për Projektin e Bashkëpunimit Teknik

Prishtinë, 10 Qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Skender Çoçaj, dhe Drejtori i Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH për Kosovë, z. David Oberhuber, nënshkruan sot Marrëveshjen e Zbatimit për Projektin e Bashkëpunimit Teknik, për reformën Ligjore dhe Administrative.

Marrëveshja mundëson vazhdimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet KGJK-së dhe Qeverisë Gjermane, nëpërmjet GIZ-it, me fokus fuqizimin e efikasitetit të gjyqësorit kosovar në përmirësimin e procedurës administrative dhe gjyqësore, zbatimin e legjislacionit mjedisor, fuqizimin e ndihmës juridike falas në zonat rurale dhe mbështetjen për Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Projekti për Reformë Ligjore dhe Administrative ka filluar punën në Kosovë në vitin 2009 dhe prej atëherë ka përkrahur Qeverinë e Kosovës në synimin për të zhvilluar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore të harmonizuar me standardet evropiane.

Nënshkrimit të marrëveshjes sot i paraprin Marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim Teknik, e datës 12 Shtator 2018, për të mbështetur Kosovën në përpjekjet për të arritur stabilitet politik dhe demokraci të bazuar në sundimin e ligjit.