Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Prishtinë, 21 Maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Ruairi O’Connell.


Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i KGJK, Çoçaj ka falënderuar Ambasadorin O’Connell për vizitën njëkohësisht për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ka ofruar ambasada e Britanisë në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit institucional të kësaj fushe. Po ashtu, ai shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ambasadës së Britanisë në Kosovë drejt përmbushjes së objektivave gjithëpërfshirëse ligjore dhe institucionale.
Me këtë rast, Çoçaj, njoftoi të pranishmit me zhvillimet e përgjithshme të gjyqësorit në Kosovë, raportin me gjykatat në vend, sfidat dhe planet e punës së KGJK-së, të cilat pritet që të tregojnë rezultate gjatë muajve në vazhdim.
Ndërkaq, Ambasadori Ruairi O’Connell e uroi Kryesuesin Çoçaj për detyrën e re dhe njëherit shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin edhe në të ardhmen në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe në forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Gjithashtu, diplomati i lartë britanik, Ruairi O’Connell, shprehu gatishmërinë që Mbretëria e Bashkuar në Kosovë do të vazhdojë të ofrojnë mbështetje, për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me sistemin gjyqësor të Kosovës.
Duke e vlerësuar lartë gatishmërinë e Ambasadës Britanike, Çoçaj, garantoi se hapat e ndërmarrë do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën në sistemin e drejtësisë dhe do të ndihmojnë në kthimin e besimit të qytetarëve.