KGjK dhe KPK kanë diskutuar sfidat e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme

KGjK dhe KPK kanë diskutuar sfidat e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme

Prishtinë, Maj 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial kanë mbajtur një tryezë me temë ”Kornizat ligjore për procedurat dhe sistemin e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë të kundërligjshme”.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin: Kryesuesi i KGJK-së dhe ai KPK-së, Kryeprokurori i Shtetit, Kryetari i Gjykatës Supreme, kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët e prokurorive.

Qëllimi i tryezës ishte diskutimi i sfidave të deritashme për zbatimin e kornizës ligjore për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Duke e cilësuar si të rëndësishme këtë tryezë, krerët e sistemit gjyqësor dhe prokurorial kanë diskutuar, sfidat në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme, si dhe idetë për avancimin e procedurave që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Është vlerësuar gjatë diskutimeve se sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme ka qenë dhe mbetet sfidë e vazhdueshme për sistemin prokurorial dhe gjyqësor, andaj është e nevojshme që pas analizës së punës së mekanizmave ekzistues të bëhen edhe ndryshimet përkatëse në drejtim të avancimit të tyre.

Gjithashtu, gjatë diskutimeve në këtë tryezë, është theksuar se janë bërë përmirësime të mëdha sa i përket infrastrukturës ligjore, mirëpo është i nevojshëm që të rritet niveli i zbatimit të saj në kuadër të mekanizmave që pritet të avancohen si pjesë të politikave strategjike të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial.