“Drejtësia 2020” do t’i jap fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë

“Drejtësia 2020”  do t’i jap fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë

Prishtinë, 23 janar 2019 – Përmbyllja e tranzicionit në sistemin e drejtësisë, avancimi i progresit dhe rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve në shtetin ligjor ishin në fokus të diskutimit të sotëm të Agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, Bordi i së cilës mbajti takimin e parë për këtë vit.

Me këtë rast u shpreh përkushtimi për planifikimin dhe zbatimin masave konkrete të agjendës “Drejtësia 2020” përfshirë implementimin me sukses të ligjeve të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020”, i përbërë nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, si dhe me pjesëmarrjen e Ambasadores së EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, shefit të sektorit politik, ekonomik dhe për integrime evropiane në Zyrën e BE-së, Riccardo Serri, zëvendëses së Zyrës Politike dhe Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë Alison Storsve, kanë përcaktuar prioritetet e tremujorit të parë të këtij viti.

Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kosovare kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë ndaj fuqizimit të fushës së sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se Agjenda e përbashkët “Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete të planifikuara dhe me afate kohore të përcaktuara.

Nga ana tjetër, partnerët zhvillimor kanë shprehur përkrahjen dhe mbështetjen e tyre të plotë me ekspertë dhe burime të tjera për këtë projekt, në mënyrë që kjo agjendë të ketë sukses.

“Drejtësia 2020” është e fokusuar në masa konkrete që synojnë përmirësimin e shpejtë të menaxhimit dhe efikasitetit brenda sistemit të drejtësisë, rrjedhimisht janë përcaktuar pesë tema për të cilat është arritur pajtimi që të punohet në mënyrë intensive në muajt vijues, e që janë diskutuar sot:  reduktim i lëndëve të vjetra; themelimi i mekanizmave për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dy Këshillave; themelimi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës; rritja e numrit të noterëve në bazë të formulës 1 noter në 10 mijë banorë; si dhe konsolidimi i mirëfilltë i ndërmjetësuesve, si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë.

Bordi i Agjendës “Drejtësia 2020” do të takohen rregullisht për të përcjell përmbushjen e aktiviteteve për të cilat janë pajtuar, duke u angazhuar për materializimin e të gjitha masave që janë pjesë e kësaj agjende.