Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës u takua me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës u takua me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial

Prishtinë, 16 janar 2019 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, ka takuar sot Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, z. Bahri Hyseni. Në takim, të dy Kryesuesit kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe të përgjithshme në sistemin e drejtësisë, me përqendrim të veçantë në agjendat e përbashkëta të vitit 2019.

Të dy krerët e sistemit të drejtësisë shprehën gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar në fuqizimin dhe avancimin e zbatimit të ligjit në kuadër të kompetencave të tyre përkatëse, për të punuar drejt përmbylljes së tranzicionit në sistemin e drejtësisë dhe për të sjellë ndryshimet e duhura, si dhe për të zhvilluar dhe avancuar partneritetin strategjik me faktorët e brendshëm dhe partnerët e jashtëm.
 
Gjithashtu, në këtë kontekst, një vëmendje e posaçme në takimin e sotëm iu kushtua edhe bashkërendimit të aktiviteteve për reformat në drejtësi, hyrjes në fuqi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, bashkërendimit për rishikimin e akteve nënligjore, statusit të të dy administratave dhe bashkërendimit të agjendave për mbajtjen e takimeve të përbashkëta KPK-KGJK në interes të avancimit të sistemit të drejtësisë.
 
Në fund të takimit, Kryesuesi Idrizi ka uruar Kryesuesin e KPK-së për detyrën e re, z. Hyseni, duke shprehur bindjen se me përvojën e tij do të ruajë dhe ngritë bashkëpunimin e ndërsjellë në nivelin më të mirë dhe efikas institucional.