Këshilli emëron Hasan Shalën kryetar të Gjykatë së Apelit, ndërsa, Presidentit i propozon Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme

Këshilli emëron Hasan Shalën kryetar të Gjykatë së  Apelit, ndërsa, Presidentit i propozon Enver Pecin për kryetar të  Gjykatës Supreme

PRISHTINË, 9 gusht 2017 – Është mbajtur takimi i njëqind e tetëdhjetë e shtatë (187) i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së votuan për herë të dytë për kryetar të Gjykatës së Apelit dhe për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Konkurrentë për kryetar të Gjykatës së Apelit ishin këta gjyqtarë: Hasan Shala, Tonka Berishaj dhe Xhevdet Abazi. Gjyqtari Hasan Shala, arriti të marrë nëntë (9) vota, Tonka Berishaj dy (2) vota dhe Xhevdet Abazi asnjë votë.

Ndërsa, konkurrentë për kryetar të Gjykatës Supreme ishin këta gjyqtarë: Enver Peci, Valdete Daka, Nesrin Lushta dhe Erdogan Haxhibeqiri.

Gjyqtari Enver Peci arriti të marrë shtatë (7) vota, Valdete Daka, tre (3) vota, Erdogan Haxhibeqiri, një (1) votë dhe Nesrin Lushta asnjë votë.

Pas këtij votimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i propozon Presidentit të Republikës Hashim Thaqi për emërim të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Pecin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.