Kryesuesi Idrizi i jep mbështetje Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe Prizrenit në punën e tyre

Kryesuesi Idrizi i jep mbështetje Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe Prizrenit në punën e tyre

Gjakovë, 13 prill 2017 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, gjatë ditës së djeshme ka vizituar Gjykatën Themelore të Gjakovës, për të parë nga afër punën e kësaj Gjykate. Në këtë takim ka marr pjesë edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha me disa gjyqtarë.

Temë e diskutimit gjatë këtij takimi ka qenë puna e përgjithshme e gjyqësorit të vendit, e në veçanti e Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe të Prizrenit. Kryetari i Gjykatës, Vaton Durguti ka njoftuar Kryesuesin Idrizi me punën e Gjykatës, kushtet e punës së gjykatës, e cila gjykatë punon së bashku në një objekt me Prokurorinë Themelore të Gjakovës dhe ecurinë e ndërtimit të objektit të ri. 

Gjithashtu, gjatë takimit është biseduar edhe për shtesat e gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe pagesa për gjyqtarët e Divizionit Civil të cilët dalin në teren. I pari i KGJK-së Idrizi, pasi ka dëgjuar kërkesat, ka ofruar mbështetjen e pa rezervë kryetarit Durguti, në mënyrë që Gjykata Themelore e Gjakovës dhe të gjitha gjykatat themelore të vendit të rrisin efikasitetin dhe besueshmërinë e qytetarëve në sistemin gjyqësor.