Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes KGjK-së dhe Fakultetit Juridik në Prishtinë

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit  mes  KGjK-së  dhe Fakultetit Juridik në Prishtinë

Prishtinë, 11 prill 2017 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi dhe Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për studentët të cilët do të vijojnë praktikën në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ky memorandum ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet KGjK-së dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’ në Prishtinë.

Gjithashtu, qëllimi i memorandumit është që të vendoset bashkëpunimi në fushën e zhvillimit të klinikave ligjore, praktikës studentore, plan programeve mësimore në pajtim me kërkesat e tregut.
Andaj, praktika gjyqësore është shumë e rëndësishme për formësimin adekuat të një juristi për tregun e punës, kështu që KGjK-ja, do të mundësoj ofrimin e praktikës për studentët e Fakultetit Juridik të cilët janë të regjistruar në vitin e tretë ose katërt, ose të cilët janë duke vijuar studimet në nivelin master.

Të dy palët u pajtuan se, përmes mësimit dhe praktikave të vazhdueshme, si shërbim cilësor dhe profesional, mund të arrijmë standardet më të larta bashkëkohore.
Praktika e studentëve do të zgjasë 3 – 6 muaj nga data e fillimit të praktikës juridike.