Konferenca e Pestë Vjetore e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Konferenca e Pestë Vjetore e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Vlerësohet lartë puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kërkohet më shumë angazhim dhe vendosmëri në luftimin e kriminalitetit.

Prishtinë, 05 dhjetor 2015 – Ka filluar punimet Konferenca e Pestë Vjetore e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila përkrahet ngushtë nga Misioni i OSBE së Kosovë.

Punimet e konferencës i hapi kryesuesi i KGJK-së z. Enver Peci, i cili duke çmuar lartë kontributin e gjyqtarëve të Kosovës, kërkoj nga ta më shumë angazhim dhe përgjegjësi. “Sot më tepër se kurrë me të drejtë nga të gjithë kërkohet rritja e përformancës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë, në veçanti pushtetit gjyqësorë.

Koha në të cilën gjendemi dhe momentet që tani po kalojmë janë kyçe dhe vendimtare për rritjen e besimit të qytetarëve tanë në punën e gjykatave”, tha ndër të tjera Peci. Ai më tutje shtoi se, ” Trajtimi i rasteve të ekstremizmit dhe terrorizmit, krimit të organizuar dhe të korrupsionit, marrja e përgjegjësive të gjyqësorit vendor nga EULEX-i, si dhe trajtimi i tyre, kanë qenë ndër sukseset më të mëdha gjatë këtij viti.”

Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti edhe presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga.” Sistemi ynë i drejtësisë ka bërë përparime në konsolidimin e legjislacionit përkatës dhe në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme.Këto përparime tashmë duhet të tregojnë rezultate të prekshme.Bashkëpunimi i organeve të drejtësisë është i domosdoshëm.

 

Çdo ngecje eventuale e njërit institucion, reflekton në ngecje të përgjithshme për të ndërtuar një sistem efektiv të sundimit të ligjit”, tha e para e vendit, duke shtuar se sundimi i ligjit është jetik për të ardhmen e vendit dhe se me këtë nuk bëhet pazar.

Duke e konsideruar Konferencën e pestë Gjyqësore të një rëndësie të veçantë, kryetari i Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Hasani, theksoj nevojën e rritjes së profesionalizimit, në mesin e gjyqtarëve dhe forcimin e integritetit të gjyqësorit.“Sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm, të cilët përmes vendimmarrjes abuzive cenojnë rëndë themelet e shtetit demokratik, cenojnë rëndë të drejtat e qytetarëve, cenojnë rëndë imazhin dhe punën tonë”, tha Hasani.

Ndërkaq,  Ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi, tha se kushtetuta, ligji dhe tradita juridike janë të vetmet, që duhet ta udhëheqin punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Ne duhet të kërkojmë që të fuqizohet edhe më shumë drejtësia. Si ministër dhe qytetar i Republikës së Kosovës, do të lusja secilin nga ju që në jetën tuaj të udhëhiqeni nga parimet, se drejtësia është parim dhe mënyrë e jetesës në vendin tonë dhe atë për të gjithë dhe pa dallime. Nga ju kërkohet që gjithmonë të vendosni në bazë të ligjit dhe të mos bini pre e asnjë ndikimi, pa marrë parasysh fuqinë politike, ekonomike,  joshjeve ose kërcënimeve”, u shpreh ministri.

Punimet e Konferencës i ka përshëndetur, edhe ambasadori amerikan në Kosovë z. Greg Delawie, i cili shprehu përkushtimin e shtetit amerikan, për ta ndihmuar drejtësinë kosovare, Amerikani i parë në vend, premtoj se vitin që vjen, shteti i tij do ta ndihmoj gjyqësorin, me projekte që kapin vlerën e afro 12 milion dollarëve. Ai inkurajoj gjyqtarët në zbatimin e ligjit njësoj për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh, fuqinë politike, ekonomike, të ndonjë personi, apo edhe presionet dhe shantazhet që mund të vinë.

Pjesëmarrësve ju drejtuan edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi,, Udhëheqësi i Zyrës së BE-së në Kosovë z. Samuel Zbogar, si dhe Jean Claude Schumberger, ambasador i OSCE-së në Kosovë, të cilët çmuan lartë punën e organeve të drejtësisë, duke kërkuar më shumë vendosmëri dhe profesionalizëm, në luftimin e të gjitha dukurive negative.
Të ftuar në këtë konferencë të rëndësishme përveç tërë elitës së sistemit gjyqësor vendor dhe ndërkombëtarë që punojnë dhe veprojnë në Kosovë, ishin edhe të gjitha ambasadat, Organizatat joqeveritare (OJQ) etj.

Punimet ditore zhvillohen në këto dy tema: Prezantimi i Strategjisë për Zvogëlimin e rasteve , prezantimi i raporteve të OSCE-së, si dhe publikimi i Buletinit të II-të të Gjykatës Supreme.Konferenca e Vjetore e KGJK-së tashmë është tradicionale, dhe mbledhë në gjirin e saj, njerëzit më të rëndësishëm të sistemit gjyqësor. Qëllimi i saj është të diskutojë për planet, programin, sfidat, dhe hapat që duhet të ndërmerren në avancimin e sistemit gjyqësor si dhe të arriturat që kanë përcjellë punën e gjykatave gjatë një viti.

Foto nga konferenca