U mbajt dita e parë e “Samitit të Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”

U mbajt dita e parë e “Samitit të Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”

Prishtinë, 15 qershor 2015 – Sot është mbajtur dita e parë e “Samitit të Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”, organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD), në mbështetje edhe të UNDP-së e USAID-it në Kosovë.

Tema e Samitit, simbolikisht shënoi 70 vjetorin e mbarimit të Luftës së II Botërore, themelimin e OKB-së, krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe 20 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, të nënshkruar në Paris, në dhjetor të vitit 1995.

Duke falënderuar të gjithë të pranishmit, në fjalën e tij hyrëse, kryetari Hasani ka folur për sundimin e ligjit, me theks të veçantë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ai e ka cilësuar nder të madh dhe kënaqësi të veçantë, që Kosova dhe Gjykata Supreme janë nikoqirë të këtij Samiti, për çka edhe falënderoi Institutin për Demokraci Kulturore, me drejtues z. Mark Donfrid që ka mundësuar realizimin e kësaj ngjarjeje. Po ashtu, falënderimet u drejtuan edhe në adresë të UNDP-së e USAID-it, për mbështetjen e tyre. 

Me fjalë rasti, Samitin e kanë përshëndetur; kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kryesuesi i Këshillit  Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, kryeprokurori i vendit, z. Aleksandër Lumezi, menaxherja e programit të ICD-së, znj. Tatjana Sehic. 

 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci në fjalën e tij,  përshëndeti nismën  për mbajtjen e këtij Samiti dhe në mes të tjerash  citoi: ‘’ Në këtë fjalë hyrëse dëshiroj të fokusohem dhe të theksoj se, sistemi gjyqësor në Republikën e Kosovës  është duke kaluar nëpër një varg reformash të vazhdueshme, në rend të parë duke harmonizuar legjislacionin vendor me parimet dhe vlerat demokratike  sa i përket organizimit të pushtetit gjyqësor dhe vënien e këtij pushteti në pozitën që e meriton, do të thotë, si pushtet i pavarur nga dy pushtetet tjera. Në këtë drejtim dëshiroj të theksoj se legjislacioni aktual në fuqi duke filluar nga akti më i lartë ligjor Kushtetuta e vendit, përcakton se Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejt, apolitik, i paanshëm, duke siguruar qasje të barabartë të të gjithëve në gjykata dhe ushtrohet nga gjykatat, si i tillë,  pushteti gjyqësor si kategori kushtetuese është plotësisht i pavarur në raport me dy pushtetet tjera.

 

Dëshiroj që në këtë Samit të diskutohen çështje me rëndësi të së drejtës ndërkombëtare, në rend të parë të sigurohet një praktikë sa më e mirë në respektimin e të drejtave të njeriut, e që është qëllimi kryesor i çdo pushteti, andaj, konsideroj se pushteti gjyqësor e ka barrën kryesore në përmbushjen e obligimeve që ka ndaj qytetarëve të vet – përfundoj z.Peci’’.

Ndërkaq, ligjëratat hyrëse lidhur me temën e Samitit, janë mbajtur nga, ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuqi, zëvendës përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Kosovë, znj. Alessandra Roccasalvo, pastaj kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Enver Hasani, si dhe në emër të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Miran Kopani. 

Në sesionin e parë të Samitit, me temën “Gjyqtarët si gardian të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, nën moderimin e prof. Dr. Blerim Rekes dhe znj. Tatjana Sehic, kanë diskutuar folësit; z. Joel Mermet, ekspert i lartë për të drejtat e Njeriut, znj. Valdete Daka, gjyqtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, z. Fisnik Korenica, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe ekspert i së drejtës Kushtetuese si dhe znj. Margarita Kadriu, deputete e Kuvendit të Kosovës.

Duke vënë në pah përparimet dhe ngecjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në vend, kreu i Supremes, prof. dr. Hasani, ka çmuar lartë diskutimet e zyrtarëve të lartë shtetëror, vendës e të huaj, ato të ekspertëve e hulumtuesve, i bindur se përvojat e paraqitura, mendimet mbi rëndësinë e vlerave sociale – sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, do të shërbejnë, jo vetëm në të mirë të avancimit të shtetit të ri, siç është Kosova, por do t’i kontribuojnë edhe zhvillimit pozitiv dhe afatgjatë të së drejtës ndërkombëtare. 

Samiti do t’i vazhdoj nesër punimet ku do të diskutohet për “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe mundësitë në promovimin e dialogut dhe paqes në mes komuniteteve”.